Kur tre partitë kryesore (PS, PD dhe LSI) duket se kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet e Pranverës 2021, Presidenti Ilir Meta ka hequr vija paralele me Maqedoninë e Veriut, ku pas disa ditësh do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme.
Në këtë pikë, Meta thotë se pavarësisht klimës zgjedhore, në Maqedoni mbizotëron siguria për shkak të pjekurisë së lidershipit politik. Ndërsa në Shqipëri, thotë Presidenti, ndodh e kundërta kur nuk ka ende një datë zgjedhjesh.
“Edhe pse zgjedhjet parlamentare të parakohshme në Maqedoninë e Veriut do mbahen vetëm pas pak ditësh, një atmosferë sigurie dhe demokracie mbizotëron falë pjekurisë të lidershipit politik në tërësi, por edhe funksionimit normal të institucioneve. Ndërsa fatkeqësisht te ne edhe pse nuk ka as datë zgjedhjesh ende në horizont kemi një tension artificial sikur zgjedhjet do jenë nesër. Ndërkohë që edhe pandemia është në rritje së bashku edhe me defiçitin dhe borxhin publik. Verbëria për mbajtjen apo marrjen me çdo çmim të pushtetit na ka bërë që të dukemi me fqinjin tonë lindor sikur u përkasim dy kontinenteve të largëta”.
Presidenti Meta thotë se duhet bërë çdo gjë për të mos mbetur pas Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sipas Metës, nuk është koha për fjalë, por për vepra konkrete.
“Ndaj s’duhet humbur më asnjë minutë në përmbushjen e kushteve thelbësore për çeljen e negociatave në mënyrë që të ecim së bashku me fqinjët tanë drejt Bashkimit Europian. Përballimi i pandemisë dhe plotësimi i kushteve duhet të jenë dy objektivat madhore për të gjithë. E para mbron shëndetin dhe jetën e çdo qytetari, ndërsa e dyta shpëton të ardhmen europiane të vendit për të cilën të gjithë përbetohen me fjalë dhe programe. Koha për vepra të mira është tani”.