Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka vizituar mëngjesin e së dielës monumentin e “5 Heronjve të Vigut” në qytetin e Shkodrës.
Kreu i Shtetit u shpreh se populli shqiptar nuk do t’i harrojë kurrë bijtë e tij që u sakrifikuan për Shqipërinë e lirë dhe demokratike, ndërsa shtoi se tradhtarë nuk do munden të cënojnë veprën e tyre.
Postimi i Presidentit Meta:
Sa herë e vizitoj Shkodrën, nuk mund të mos ndalem tek monumenti i “5 Heronjve të Vigut” për t’u përulur me respekt e nderim të thellë para jetës e veprës së bijve më të shquar të saj, të Lezhës dhe Mirditës, të cilët dhanë jetën për Çlirimin e Atdheut.
Populli i Shkodrës dhe populli shqiptar nuk do t’i harrojë kurrë bijat dhe bijtë e saj më të mirë, të cilët sakrifikuan gjithçka për Shqipërinë e lirë, sovrane dhe demokratike.
Tradhëtarët dhe gjakprishurit kurrë nuk do t’ia dalin të cenojnë dinjitetin dhe veprën e Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit që ndriçon rrugën tonë drejt së ardhmes së sigurt europiane.
I paharruar dhe i përjetshëm kujtimi i 5 Heronjve të Vigut dhe i të gjithë Dëshmorëve të Atdheut!