Ismail Zeneli, 49-vjeçari, i cili u shpall në kërkim nga SPAK si personi i cili kërkoi vrasjen e vëllezërve Edmond e Albert Nela është arrestuar në Spanjë. Ai gjithashtu është i dyshuar dhe për 2 raste të trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Prokuroria e Posaçme kërkon ekstradimin e tij në Shqipëri, për t’u përballur me akuzat e ngritura pas zbërthimit të komunikimeve të enkriptuara në platformën SKY, në dosjen e ashtuquajtur si ‘Metamorfoza 2’.
Zeneli, i cili sipas dosjes së SPAK emrin e vërtetë e ka Luan Sadria, ka ndryshuar identitet vite më parë, duke u birësuar nga tezja e tij. Ai ka vendosur të mbajë emrin Zenel, si të babait biologjik dhe të ndryshojë datën e lindjes në Gjendjen Civile.
49-vjeçari kërkonte të vriste vëllezërit Nela për hakmarrje pasi dyshonte se ishin autorë të vrasjes së vëllait të tij në Britaninë e Madhe në vitin 2013.
Në Maj të këtij viti në Angli është vrarë shtetasi i njohur nga autoritete atje si Xhem Krasniqi, i cili sipas SPAK në të vërtetë është shtetasi Guximtar Sadria, vëllai i 49-vjeçarit.
Për të realizuar planin, Zeneli bashkëpunoi me policin Dedan Gjoni, tashmë i arrestuar, i cili i siguronte informacione mbi lëvizjet e dy vëllezërve dhe të afërmve të tyre gjatë vitit 2020.
Zeneli gjithashtu është përgjegjës sipas SPAK në bashkëpunim me persona të tjerë, edhe për dy episode të trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut në Holandë dhe Valencia të Spanjës.