Presidenti i Republikës, Ilir Meta është paraqitur ditën e premten në zyrat e Gjendjes Civile në njësinë 13 në Tiranë për të aplikuar për kartën e re biometrike të identitetit.
Pas aplikimit, Kreu i Shtetit iu bëri një thirrje qytetarëve që të verifikojnë vlefshmërinë e dokumenteve të tyre biometrike dhe qendrën e votimit për të mos humbur mundësinë për të votuar më 25 prill, në atë që ai e quan një referendum popullor.
“Kur na ndajnë edhe 86 ditë nga zgjedhjet e shumëpritura të 25 prillit 2021, ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, të verifikojnë afatin e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit.
Rinovimi i tyre është i domosdoshëm!
Mospasja e një karte të vlefshme ID është pengesë serioze për të ushtruar të drejtën kushtetuese të votës. Mos neglizhoni dhe mos e leni aplikimin për në çastin e fundit!
Gjithashtu, ju ftoj të verifikoni sa më parë emrin në listën e zgjedhësve, si dhe vendndodhjen e qendrës tuaj të votimit dhe në rast se vini re parregullsi tek të dhënat, paraqituni menjëherë pranë zyrës së Gjendjes Civile në Njësinë tuaj Administrative.
Është thelbësore, që të gjithë qytetarët me të drejtë vote, të kenë mundësi të marrin pjesë në referendumin historik të 25 prillit”, shkruan mes të tjerash Meta.