Nga Artan Fuga
Me rastin e 50 vjetorit të Akademisë të Shkencave, ndonëse m’a kërkuan në media mendimin tim, dihet, kritik, ndaj orientimit të saj të pardjeshëm, të djeshëm dhe të sotëm, çka duhet bërë përpjekje sot a nesër për ta ndryshuar, nuk fola! Nuk fola se nuk flas në datëlindje apo vdekje të personave për të cilat kam kritika! Kur kanë datëlindje, nuk u them atë ditë “Plaç!”, nuk është rasti fare dhe as me etikë. Në vdekje, ata kanë mbaruar punë, pra nuk është e denjë!
Por ku të le Ina se!
Meqë nuk isha dot në aktivitetin jubilar akademik kur foli zoti Rama, mësova nga media që pikat themelore në komunikimin e tij ishte se sipas tij ishte shumë domethënëse që kryetari i akademisë së sotme nuk është rastësi që ka qenë një njeri i akademisë së dikurshme të periudhës totalitare. Pak a shumë një njeri i tillë mund ta bënte këtë që ndodh sot, sepse sipas tij ai na paska qenë i paoksidueshëm, pra si ka qenë është!
Në rregull, nëse nuk e kundërshtoi kush, as unë nuk e kundërshtoj sepse nuk ka lidhje me mua ky etiketim!
Nuk hyj në këto vlerësime, veçse konstatoj neutralisht se zoti Kryeministër nuk e njeh si duhet historinë e shkencës dhe të Akademisë së saj as në epokën komuniste, as në këta tridhjetë vjet. Madje nuk e njeh fare! Po fare, ja mbyt në tym! Nuk ka ndonjë të keqe!
Mësova nga media se ai për të treguar sa i papolitizuar ka qenë profesori i nderuar Aleks Buda, tregoi se ky i fundit paskësh shkuar te vakia e një profesori tjetër të shquar atëherë që nuk konsiderohej me sy të mirë nga diktatori!!! Nuk e dija se nëpër vakira tregohet shkalla e politizimit! Çfarë parametri i çuditshëm për të vlerësuar pavarësinë shkencore të dikujt, që gjithsesi ka nderimin tim! Por hajde, futja kot!
Mirëpo sikur të mos mjaftonte kjo, edhe zonja Ina Zhupa e partisë demokratike dje boton një qëndrim zyrtar, ku i hyn me themel, i bën qilizëm, jo më kryetarit të akademisë, jo akademisë, por edhe të gjithë atyre që në punë të vet merren me sa munden me kërkim shkencor, dhe i konsideron të gjithë si gati mumje, kufoma, për azil, ish politikanë që gjejnë strehë, aty, me një fjalë me epitete që as një rrugaç nuk do t’i kishte përdorur, për të përgojuar të gjithë!
Unë nuk e di se kush nga partia demokratike e ka ngarkuar Ina Zhupën, të pështyjë mbi çdo njeri që merret me shkencë dhe që është edhe antar i akademisë të shkencave! Nëse është ky opozitarizmi i partisë demokratike, ta mbajë me shëndet dhe të shullehet mbi të! Nëse e dëgjon Inën dhe rri e bën sehir, nuk tregon veçse humbje të ndjeshmërisë politike. Nëse Ina i kalon ujët nën rrogoz partisë demokratike duke e armiqësuar me njerëzit e shkencës, as kjo nuk është puna ime!
Tre gjëra duhet t’i them Ina Zhupës se nuk kam kohë të merrem më shumë me të!
E para, mos harrojë se bën pjesë në deputetët e emëruar nga Lulzim Basha dhe që në programin e tyre nuk kishin asgjë, por asgjë fare, po fare, veç budalliqe të shkruara, për rinovimin e shkencës dhe arsimit. Kot llafe në erë, llogje Kavaje!
E dyta, që nuk i takon asaj që nuk besoj se ka shkruar qoftë edhe ndonjë ese të botuar ndonjëherë, t’u tregojë azilet dhe paaftësinë atyre që mirë a keq merren mesa munden me kërkim shkencor! Madje në kushte varfërie! Aq më pak Ina Zhupa që ende nuk e kam dëgjuar se çfarë kritikash ka ajo për politikat e partisë demokratike, përse njëherë ajo ishte kundër foltores, pastaj kaloi me hedhje në anën e saj, këto janë krejt punë për të. Mua as më duhen fare! Unë vetëm di se elektorati i sheh me shumë dyshim ata deputetë që bëjnë pirueta të tilla sepse nuk ka asnjë besim te kësi lloj politikanësh, nëse quhet politikane, gjithmonë.
Së fundit, Ina Zhupa ta dijë, sepse edhe ajo nuk e njeh fare, po fare, historinë e opozitarizmit, lëre të kërkimit shkencor sepse t’i kërkosh këtë është si t’i kërkosh të hedhi fall, se ka të paktën nja 15 vjet që partia ku ajo është deputete i ka braktisur si shkencëtarët ashtu edhe pedagogët edhe studentët! Heshtje varri, llafe në erë, asnjë alternativë! Madje edhe atë Akademinë e Shkencave që pushteti i sotëm e identifikon me kryetarin si mikun politik të paoksidueshëm të kryeministrit, sikurse e cilësoi ky i fundit, farën e kalbëzimit ja hodhi pikërisht partia demokratike. Nuk arriti aspak të gjente modelin e duhur as për universitetet dhe as për shkencën! Aty u hodh fara e politizimit dhe e dembelizmit, e përdorimit politik! Hipokritët e mashtruan partinë që kishte qejf të vetëmashtrohej, sikurse ndodh gjithmonë dhe në të gjitha partitë!
Prandaj, Ina Zhupa dhe të tjerë nëse kanë këllqe, përpara se të shajnë në mënyrë rrugaçore anëtarë të akademisë të shkencave të bëjnë njëherë analizën e gabimeve të formacionit politik ku ata thonë se janë, të propozojnë modelet e duhura, se për të pështyrë të tjerët është e lehtë, por krejt e pahijshme!
Dhe Ina Zhupa e barazon çdo akademik me kryetarin e akademisë, pra pastaj me politikën, me partitë politike, kryetarlliku i intereson, jo agjencia, jo si të ndërtohet kërkimi shkencor si duhet, që rënkon, rënkon, në mediokritet dhe kotësi, në këtë mënyrë, si njëra si tjetri kanë të njëjtin mentalitet.
Sado që nuk është Ina Zhupa që e ka fajin për gjendjen e sotme! Fajin e rëndë dhe mëkatin e pashlyeshëm e ka politika në fuqi, e kanë ministrat e arsimit që u shkelën me këmbë dhunshëm, deputetët e shumicës që në atë kohë mashtruan duke shkelur Kushtetutën, etj. Por, është edhe ajo dhe të tjerë si ajo, si dukuri kolektive politike, që me këtë qëndrim lehtëson barrën e peshës të fajit të qeverisjes dhe pengon reformimin e sistemit të arsimit dhe shkencës, të gjithë shoqërisë shqiptare!