Ka dështuar përpjekja në Sri Lanka për të thyer rekordin botëror të Guinness, për grupimin më të madh të binjakëve, kjo jo sepse nuk arritën të mblidheshin por u mblodhën më shumë nga sa pritej.
Siç shkruan ABC, mijëra binjakë u mblodhën dy e nga dy në një stadium në kryeqytetin e Sri Lanka-s, Colombo. Por ata ishin aq shumë sa zyrtarët nuk arritën dot t’i numëronin.
Radhë të mëdha u krijuan ndërsa grupet e motrave e vëllezërve prisnin të kontrollonin certifikatat e tyre të lindjes.
Shumë nisën të largoheshin para se të mund të regjistroheshin dhe nuk u bë asnjë foto në grup që kërkohet zakonisht në përpjekjet për të thyer një rekord.
Rekordi i fundit për grumbullimin më të madh të binjakëve u vendos në Tajvan në vitin 1999, ku u mblodhën 3,961 grupe binjakësh, 37 grupe treshe dhe katër grupe të katërnjakësh.
“Numërimi po vazhdon. Ne do ta dorëzojmë numërimin përfundimtar dhe dokumentacionin përsëri në komitetin e Guinness Record Record World dhe jam i bindur se do të informohemi me shkrim se e mbajmë rekordin”, tha Upuli Gamage, bashkëorganizator i eventit.
Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga organizata e Guinness nëse eventi kishte përmbushur kërkesat për të merituar rekordin. Ndërsa BBC e quan përpjekje të dështuar dhe thotë se sipas organizatorëve, do të ketë një tjetër event dhe shumë pjesëmarrës janë shprehur të lumtur ta provojnë përsëri.
Shumë nga binjakët, mes tyre fëmijë, pensionistë dhe policë, kishin udhëtuar me orë të tëra për të marrë pjesë në këtë ngjarje.