Bota Mijëra qytetarë në Estoni dhe Gjeorgji dalin në shesh në solidaritet me...

Mijëra qytetarë në Estoni dhe Gjeorgji dalin në shesh në solidaritet me Ukrainën

Mijëra vetë kanë dalë në sheshet e Talin në Estoni në mbështetje të Ukrainës.

Qytetarët u mblodhën në “Sheshin e Lirisë” të shtunën pasdite në shenjë solidariteti me luftën në Ukrainë.

Demonstrata nisi me himnin e Ukrainës dhe Estonisë ndërsa mbajti fjalim dhe presidenti, Alar Karis.

Presidenti i Ukrainës, Zelensky në Twitter e konsideroi si “demonstratën më të madhe në historinë moderne në Estoni” dhe shprehu mirënjohje për këtë.

Ambasadorja e Ukrainës në Estoni, Mariana Betsa shkroi në rrejtët sociale se ishte thellësisht e prekur nga pjesëmarrja e madhe.

Protesta masive edhe në Gjeorgji kundër pushtimit të Ukrainës

Për të dytën natë me radhë, mijëra gjeorgjianë dolën në kryeqytetin Tblisi për të protestuar kundër pushtimit rus të Ukrainës.

Disa nga protestuesit – është vlerësuar se janë rreth 30,000 – brohoritën kundër qeverisë aktuale të Gjeorgjisë, pasi partia në pushtet tha se nuk do t’i bashkohej sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë.

“Dua të them qartë dhe pa mëdyshje, duke marrë parasysh interesat tona kombëtare dhe interesat e popullit, Gjeorgjia nuk planifikon të marrë pjesë në sanksionet financiare dhe ekonomike, pasi kjo vetëm do të dëmtonte më shumë vendin dhe popullsinë tonë”, tha kryeministri i vendit Irakli Garibashvili.

Protestuesit thonë se vendimi i kryeministrit përfaqëson braktisje të popullit ukrainas.

Vetë presidenti ukrainas Zelenskyy, përmes një postimi në Twitter tha se mbështetja nga populli gjeorgjian është më e rëndësishme se mosvendosja e sanksioneve ndaj Rusisë.