Ish-zëvendësi presidenti amerikan, Mike Pence, zbret në fushën e zgjedhjeve presidenciale të 2024, gati të sfidojë ish-shefin e tij në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump si kandidat republikan.
Pence, që ka depozituar dokumentet e kandidimit në Komisionin elektoral federal, do ta njoftojë zyrtarisht kandidaturën të mërkurën, 7 qershor, në ditëlindjen e tij të 64-ërt, me një video në Des Moines, Iowa, sipas CNN.
Sipas sondazheve, Pence tani është mjaft larg nga Trump në preferencat e zgjedhësve republikanë. Fushata e tij do të zhvillohet kryesisht në Iowa, shteti ku do të zhvillohet votimi i parë i primareve.
Ish-guvernatori i Indianës e shikon Iowa si një terren të favorshëm për të tërhequr votat e konservatorëve.
Pence kishte qenë zëvendëspresident i Trump, por kishte refuzuar ta mbështeste atë kur ai u përpoq t’i përmbyste rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, të fituara nga demokrati Joe Biden.
Ish-guvernatori i Indianas është distancuar gjithnjë e më shumë nga Trump, duke thënë se veprimet e Trump që inkurajuan sulmin ndaj ndërtesës së Kapitolit më 6 janar të vitit 2021 e kishin rrezikuar atë dhe familjen e tij, të cilët kishin qenë në ndërtesë në atë kohë.
Pence i bashkohet një numri të madh të kandidatëve republikanë. Numri i madh i kandidatëve ka shqetësuar shumë kundërshtarë të Trump brenda Partisë Republikane, të cilët kanë frikë se vota kundër Trumpit mund të ndahet dhe t’ia dorëzojë kështu nominimin e partisë ish-presidentit.