Martin Schulz, udhëheqësi i socialdemokratëve të Gjermanisë ka njoftuar se nuk do të mbajë asnjë post ministror në qeverinë e ardhshme të koalicionit, pavarësisht se partisë së tij iu ofruan postet kyçe nga Unioni Kristian-Demokratik i Angela Merkelit.
Schulz, i cili përflitej se do të merrte frerët e Ministrisë së Jashtme pas marrëveshjes së koalicionit me CDU-në ditën e mërkurë, tha përmes një deklarate se i frikësohej faktit se vota e anëtarësisë së SPD-së, që është e domosdoshme për të miratuar rinovimin e “koalicionit të madh”, mund të “rrezikohet nga diskutimet rreth personalitetit tim”.
“Për këtë arsye, dua të njoftoj se kam hequr dorë nga hyrja në qeveri, – tha Schulz. – Ne të gjithë bëjmë politikë për popullin e vendit tonë. Kjo kërkon që ambiciet e mia personale të qëndrojnë prapa interesave të partisë”.
Vendimi i tij shënon fundin e ulje-ngritjeve 12-mujore të ish-presidentit të Parlamentit Europian.
I zgjedhur si kryetar i partisë së tij me 100 për qind të votave në janar të vitit 2017, sondazhet paraprake treguan se ai do të trondiste postin e Kancelares Merkel në zgjedhjet e shtatorit. Por, përfundimi ishte krejt i kundërt: Schulz arriti rezultatin më të keq për partinë e tij që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.
Pasi refuzoi hyrjen në qeveri koalicioni të udhëhequr nga Merkeli menjëherë pas zgjedhjeve, Schulz bëri një kthesë 180 gradë pas përpjekjes së Kancelares për të krijuar një koalicion me partinë probiznesit të Demokratëve të Lirë dhe Të Gjelbrit, por që dështoi. Kjo lëvizje e Schulzit solli kritika të ashpra nga anëtarët e SPD-së, që besonin se partia e tyre duhej të qëndronte në opozitë.
Gjatë javëve të kaluara të bisedimeve për koalicion, Schulz u shfaq si negociatori “i fituar”, duke qenë se mori në tryezë çelësat e tri dikastereve të rëndësishme si Ministria e Financave, ajo e Jashtme dhe ajo e Punës.
Schulz njihet edhe si një mbështetës i së majtës në Shqipëri, më konkretisht ai është mik i Edi Ramës, por edhe i Ilir Metës.
Pas kontestimit të zgjedhjeve të vitit 2009 nga Edi Rama, ai u bë pjesë e një zgjidhjeje për hapjen e kutive.
Ai qe pjesëtar i darkës së famshme në restorantin “Krokodil” në Strasburg, ku u kërkua një zgjidhje mes Ramës dhe Berishës
Ai është i njohur gjithashtu si njeriu që mbështeti fort ribashkimin e së majtës dhe kontribuoi për marrëveshjen e 1 prillit mes Ramës dhe Metës.