“Është e shëmtuar ta shohësh Milanin kaq poshtë në renditje, por fatkeqësisht nuk është diçka e re. Gjithsesi, unë e njoh shumë mirë Maldinin dhe kam besim të verbër tek ai. Së bashku me ndihmën e Bobanit, Paolo do të dijë ta nxjerrë skuadrën nga kjo gropë thithëse”.
Ishin këto disa nga fjalët hyrëse të Filipo Inzagit, teknikut aktual të Beneventos (46 pikë në renditje aktualisht), i cili në 10 javët e fundit të Serisë B ka shënuar 9 fitore dhe 1 barazim, duke kryesuar bindshëm kampionatin kadet, me 12 pikë avantazh nga ndjekësja më e afërt, Pordenone.
Ish-legjenda dhe ish-trajneri i “Djallit” gjithashtu nuk mund të mos shpenzonte disa fjalë edhe për rikthimin e Zlatan Ibrahimoviçit. “Historia e viteve të fundit ka treguar se trajnerët kanë qenë e keqja më e vogël e Milanit, pasi kësaj skuadre i kanë munguar vetëm lojtarët e mëdhenj, si Zlatani për shembull, për të tërhequr skuadrën në fushën e lojës. Unë jam i bindur kur them se në klub bënë shumë mirë që i besuan Ibrës.
Madje, jam i sigurt se ai nuk u kthye në Milano për parà, as për lavdi, por konfirmoi se është i lidhur shumë me Milanin dhe kërkon që të lërë shenjën e tij. Kam luajtur me Ibrën, e di se çfarë karakteri dhe cilësish ka. Dhe diçka e tillë u pa qartë që në debutim, por akoma më shumë me Kaljarin”.
Lidhur me sulmuesit që “Pipo” pëlqen më shumë, ai nuk ngurron të bëjë dy emra: “Kutrone është ai nga i cili pres shumë. Jam i lumtur që u rikthye dhe te Fiorentina do të shënojë shumë. Jo më kot unë vendosa që ta marr në skuadrën e të rinjve edhe pse ishte 3 vjet më i vogël. Por gjithsesi, numri një në Itali ishte dhe mbetet Imobile”.
Ai nuk kursen as elozhet për vëllain e tij, Simone, i cili po bën mrekulli me Lacion.
“Simone nuk është një shembull vetëm për mua, por edhe për shumë trajnerë të tjerë në botë. Është një ndër më të mirët në qarkullim aktualisht dhe më modernët në ideologji. Ai nuk ngurron të konfrontohet çdo ditë me drejtuesit për të marrë ide, por edhe me mua, pasi së bashku flasim të paktën 4 orë në ditë në telefon, për të shkëmbyer mendime.
Lacio për titull? Të ëndërrosh është falas, por unë mendoj se edhe arritja në Champions do të ishte një objektiv madhështor. Fatkeqësisht për Simonen dhe për këdo tjetër, Juvja ka një grup, sidomos një pankinë që është pak ta quash luksoze. Ka cilësi të tepruara për një skuadër në Itali”, përfundoi autori i 126 golave me bluzën e Milanit.