Pas dy humbjeve radhazi në kampionat e në Kupë ndaj Atalantës e Interit, Milani u rikthye te fitorja. E bëri këtë me rezultatin 1-2 në transfertën ndaj Bolonjës, por me shumë vështirësi.
Kuqezinjtë iu falën sërish penalltive për të marrë tre pikët, pasi edhe në sfidën e sotme patën dy të tilla në favor, duke çuar në 14 numrin total të 11-metërshave të fituar këtë sezon, thuajse 3-fishi i Juves e Sassuolos që kanë fituar nga 5 të tilla.
Pas një starti të vrullshëm, Milani u ndal disa herë nga portieri Skorupski, por në minutën e 26’ arbitri Doveri akordoi penallti për kuqezinjtë. Nga pika e 11-metrave shkoi Ibrahimoviç, që gaboi sërish, por topi i kthyer shkoi në këmbët e Rebiç, që e dërgoi në rrjetë, duke kaluar të tijtë në avantazh.
Në pjesën e dytë ishte mbrojtësi Soumare ai që preku topin me dorë në zonë dhe arbitri Doveri akordoi një tjetër penallti për Milanin, ndërsa këtë herë ekzekutimin e mori përsipër Franck Kessie, që gjuajti saktë dhe shënoi edhe golin e dytë.
Kur dukej se gjithçka ishte mbyllur, një ish si Andrea Poli rihapi llogaritë e ndeshjes në minutën e 81-të, ndërsa më pas u desh një mrekulli e Donnarummës ndaj Sorianos, për të mbrojtur suksesin e Milanit, që u ngjit në kuotën e 46 pikëve, 5 më tepër se Interi që luan sonte në mbrëmje.