Milan ka zhgënjyer në Portugali, në ndeshjen e tretë të grupit ndaj Portos, duke humbur 1-0 dhe duke shuar shpresat për një kualifikim të mëtejshëm në Champions League.
Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Diaz, në minutën e 65.
Kuqezinjtë e shohin veten në vend të fundit, me 0 pikë pas 3 ndeshjeve të para, në grupin që kryesohet nga Liverpool me 9 pikë, i ndjekur nga Atletico Madrid dhe Porto, me nga 4 pikë secila.
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Liverpool mundi në transfertë Atletico Madrid me rezultatin 2-3, në një ndeshje ku Griezmann shënoi dy gola, por edhe u ndëshkua me karton të kuq duke e lënë ekipin spanjoll me 10 lojtarë atëherë kur kishte më shumë nevojë.
Ndërkohë, në ndeshjet e tjera të mbrëmjes së sotme, Leo Messi përmbysi me dy gola Leipzigun, duke i dhënë fitoren 3-2 PSG; Ajax shkatërroi 4-0 Borussia Dortmund; City mposhti 5-1 Club Brugge; Sporting fitoi në Turqi 4-1 ndaj Besiktas.
Interi mposht Sherif Tiraspolin me rezultatin 3-1, dhe rikthehet në lojë për kualifikimin në grupin D.
Ekipi i Sherifit ndodhej jo pa surprizë në krye të renditjes pas fitoreve me Shaktar dhe Real Madrid, por moldavët sot nuk shprehën lojën që i karakterizon.
Pas disa rasteve, Inter kaloi në avantazh me bomberin Dzeko në minutën 34, me Interin që nuk dyfishin dot gjatë pjesës së parë.
Ekipi i Tiraspolit gjendet gjithsesi në një periudhë të artë të historisë së saj, dhe luksemburgezi Till arrin të shënoi me goditje dënimi në minutën 54, pasi kishte gjunjëzuar në sekondat e fundit “Los Blancos” në Bernabeu.
Por teksa tek tifozët e Interit po riktheheshin makthet e sezoneve të fundit në Champions, Arturo Vidal shkriu tensionin në San Siro me golin e tij në të 58 -ën. Interi zhbllokohet duke pasur raste të shumta, dhe trefishon me mbrojtësin De Vrij dhjetë minuta më pas.
Interi ngjitet në kuotën e 4 pikëve, ndërkohë që Real Madrid shpartalloi 0-5 Shaktarin në Ukrainë, duke marrë kreun e renditjes me 6 pikë, po aq sa Sheriff, në një grup tashmë të hapur.