Ndonëse ende shumë larg viteve më të mira dhe me pretendime për të arritur vetëm një vend në Europa League, Milani është shndërruar në një skuadër shumë të rëndësishme për përcaktimin e fituesit të kampionatit italian.
Kjo sepse pas startit zhgënjyes të kampionatit, kuqezinjtë e kanë marrë veten nën drejtimin e Piolit në pankinë dhe Ibrës në fushë, ndërsa këtë e provoi më së miri mbrëmë Lazio, që pa të mposhtej me rezultatin e thellë 0-3 në “Olimpico”.
Triumfi i djeshëm ishte tërësisht i merituar për kuqezinjtë, që dominuan takimin gjatë gjithë 90-minutëshit dhe i dhanë një goditje të rëndë ëndrrës laciale për t’u rikthyer te titulli kampion që mungon prej 20 vitesh.
Megjithatë rruga drejt titullit kampion vijon të kalojë edhe nëpërmjet kuqezinjve, të cilët t martën në mbrëmje do të presin në “San Siro” Juventusin kryesues dhe do të kenë mundësi “ti kërkojnë ndjesë” Lazios, duke rihapur edhe njëherë llogaritë për kreun.
Kuqezinjtë janë plotësisht në garë për një vend në kupat e Europës, por rivaliteti është i fortë dhe e kanë të qartë që duhet të marrin sa më shumë pikë, ndonëse kalendari nuk është treguar fort i mëshirshëm me ta, pasi menjëherë pas përballjes me Juventusin, i pret transferta direkte me Napolin.
Megjithatë entuziazmi e siguria që sjell prania e Ibrës në fushë, por edhe rritja e ndjeshme e një pjese të mirë të titullarëve, ka bërë që në Milano të shpresojnë të ndalin edhe Juventusin, pasi e bënë këtë mbrëmjen e djeshme ndaj Lazios.
Nëse gjithçka do të shkojë mirë për djemtë e Piolit, gara për titull do të rihapet sërish, ndërsa në të mund të rikthehet edhe Interi, por në të kundërt, nëse Juventusi do të largohet me 3 pikë nga Milano, atëherë titulli kampion do të duhet të marrë rrugën drejt Torinos për herë të 9 radhazi.