Milani ka marrë fitoren e 11 në 15 javë të Serie A, duke mposhtur Beneventon 0-2, por me shumë vuajtje.
Skuadra e Piolit shënoi në minutën e 15 golin e parë me 11-metërsh të fituar nga Rebic, ndërsa topin e dërgoi në rrjetë Kessie, por në minutën e 34 ndeshja ndryshoi tërësisht. Tonali lë kuqezinjtë me një lojtar më pak, pas një ndërhyrje të rëndë.
Benevento hidhet e gjitha në sulm, ndërsa Milani vendosen në mbrojtje. Me nisjen e pjesës së dytë, Leao shënon edhe golin e dytë për udhëheqësit e Serie A, duke përfituar nga një dalje e gabuar e portierit.
Mundësia e artë për skuadrën e drejtuar nga Inzaghi për të ngushtuar rezultatin ishte në minutën e 61, por Caprari gaboi nga pika e penalltisë.
Më tej, Milani kishte edhe dy raste të mira për shënim, por këtë herë fati nuk ishte me ata, pasi Calhanoglu dhe Kessie goditën shtyllën.
Me këtë fitore, Milani rimerr vendin e parë me një pikë më shumë se Interi, ndërsa ndeshja e radhës është të mërkurën në San Siro ndaj Juventusit, e cila pritet të vendosë shumë për objektivat e këtij sezoni.
Bayern e nis vitin me 5 gola
Bayern München e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer vitin 2021, duke shënuar një fitore 5-2 ndaj Mainz.
Ndeshja nisi keq për kampionët në fuqi të Gjermanisë, të cilët e mbyllën pjesën e parë në disavantazh të dy golave. Mainz shënoi me Burkardt dhe Hack, por në pjesën e dytë duhet të përballeshin me uraganin “Bayern”.
Brenda 33 minutave, skuadra e Flick realizoi 5 herë. Kimmich, Sane, Sule dhe dy herë Lewandowski i dhanë bavarezëve suksesin e parë të këtij viti.
Me këtë fitore, Bayern rimerr kreun e Bundesligës me 33 pikë, ndërsa Leipzig e ndjek me dy pikë më pak.