Milani ka regjistruar fitoren e parë në Champions League për këtë sezon. Kuqezinjtë triumfuan me rezultatin 3-1 ndaj Club Brugge, në ndeshjen e vlefshme për raundin e tretë.
Ishte një ndeshje me vuajtje të mëdha për skuadrën e drejtuar nga Fonseca. Miqtë kishin ardhur të motivuar në këtë takim dhe ishin shumë sulmues nga fillimi, duke iu afruar në disa raste golit, por Maignan dhe tranversa shpëtuan Milanin.
Në minutën e 34-t, Pulisic bëri që të shpërthejë festa në “San Siro”, duke shënuar nga goditja e këndit, për t’i dhënë avantazhin italianëve.
Gjithçka u bë më e vështirë për belgët në minutën e 40-të, kur ngelën me 10 lojtarë, pasi Onyedika u ndëshkua me karton të kuq.
Edhe pse në inferioritet numerik, Club Brugge, ia doli të barazojë shifrat në minutën e 51-të me Sabbe. Megjithatë baraspesha zgjati vetëm pak minuta, pasi Reijnders riktheu avantazhin e vendasve në minutën e 61-të. 10 minuta më vonë ishte i njëjti autor, që shënoi edhe të tretin.
Me këtë fitore, Milani ngjitet në vendin e 18-të me 3 pikë të marra.