Është pragu i një fillimi të ri. Nesër, Milani do të niset për në Dublin, të enjten do të jetë në fushë, duke luajtur raundin e dytë kualifikues të “Europa League”. Kuqezinjtë duhet ta tregojnë veten me një petk të ripërtërirë. Pioli do të jetë në stol, për herë të parë që nga fillimi i sezonit, Ibra do të jetë në fushë (dje ai u stërvit me ekipin; edhe ai është një blerje verore). Brahim Diaz do të jetë në gjendje të bëjë debutimin e tij si shok i ekipit të Zlatan; Tonali është përfshirë në listën e federimeve në UEFA për këtë ndeshje. Edhe ai do të fluturojë drejt Irlandës, edhe pse nuk ka gjasa të luajë.
Përfaqësimi ndërkombëtar mbetet lajmi i parë i mirë. Milani kthehet në Europë 644 ditë, pas herës së fundit. Ai u mund në Greqi nga Olympiacos dhe u eliminua në grup. Verën e kaluar u përjashtua nga UEFA dhe CAS, si pasojë e shkeljes së rregullave të “Fair Play Financiar”. Nga 13 dhjetori 2018 deri të enjten e 17 shtatorit 2020, kundër Shamrock Rovers janë 21 muaj transformim i gjatë. Ibrahimovic është në etapën e tij të tretë te kuqezinjtë (2010-2012, gjashtë muajt e fundit të sezonit të kaluar, të cilëve iu shtohet kontrata e nënshkruar në verë). Zlatan ka 16 paraqitje europiane me Milanin (të gjitha në Champions), por azhurnohet vazhdimisht.
Dje u kthye në stërvitje me grupin dhe rifitoi vendin në qendër të sulmit, pasi humbi miqësoret kundër Vicenza dhe Brescia për një plagë në këmbën e djathtë. Në moshën 38 vjeç, suedezi do të bëjë debutimin e tij me Milanin në Ligën e Europës. Një kompeticion, që e fitoi me Manchester United më 2017. Ai do të tregojë rrugën, si zakonisht, duke e marrë të gjithë Milanin mbi supe. Tonali është përfshirë në listën e UEFA-s (ashtu si ardhja tjetër e fundit, Tatarusanu), por këto ditë po ndjek një stërvitje të diferencuar, duke qenë se ka bërë pushim për një kohë të gjatë. Nuk ka gjasa që debutimi i tij të ndodhë në Irlandë. Ka shumë të ngjarë ta shohim në “San Siro” për ndeshjen e parë të Serie A, kundër Bologna. Motoja e tij vlen për çdo kuqezi tjetër: “Ne jemi të bashkuar, e duam njëri-tjetrin. Këtu kam gjetur një mjhedis të shkëlqyeshëm. Ne duam të luajmë dhe të ngjitemi sa më lart”.
Brahim Diaz, i cili mbërriti i huazuar nga Real Madridi, është një kandidati serioz për të zëvendësuar Rebic, i pezulluar për tri raunde të Ligës së Europës (d.m.th. deri në fazën e grupeve, padyshim në rast se ekipi i Piolii i tejkalon tri raundet kualifikuese). Me rëndësi është vazhdimësia. Rezultatet duhet të jenë në të njëjtën linjë me fundit e sezonit të kaluar. Për të kaluar në raundin e tretë kualifikues të kësaj gare, në të cilin kundërshtari do të ishte njëri mes norvegjezëve të Bodo Glimt dhe lituanezëve të Zalgiris Vilnius, kërkohet fitorja. E njëjta “shenjë” me të cilën Milani e mbylli epilogun e sezonit të kaluar.