Stefano Pioli do të jetë trajneri i Milanit të paktën deri në verën e vitit 2025. Italiani nënshkroi mbrëmjen e të hënës kontratën e re me klubin që do ta mbajë të lidhur me ngjyrat kuqezi të paktën dhe 3 vite të tjera.
Sukseset e regjistruara me Milanin, si dhe rikthimi i titullit pas thuajse një dekade, kanë bërë që drejtuesit e Milanit të mos e mendojnë më gjatë dhe të blindojnë teknikun 49-vjeçar.
“Një emocion i papërshkrueshëm. Kisha kohë që e prisja, por tani ishte momenti i duhur. Kjo më jep forcë, energji të reja dhe për të ardhmen. Jemi të motivuar në 100%. Kam një grup lojtarësh fantastik dhe sigurisht me tifozët tanë pa të cilët nuk do të kishim bërë asgjë. Jemi rritur bashkë, por ambiciet janë të njëjta si në vitin e kaluar. Të gjithë e dinë se çfarë ngjyrash mbajmë veshur dhe historinë që ato kanë në futbollit botëror”, tha Pioli.
Edhe paga që Pioli do të përfitojë ka ndryshuar. Nga 2,8 milionë euro neto që ai merrte në sezon, tani paga e tij shkon në 3,5 milionë euro neto, ndërsa do të ketë përfitime dhe nga bonuset e ndryshme nëse arrin objektivat e klubit. 49-vjeçari e ka drejtuar Milanin në 150 ndeshje, nga ku ka arritur 87 fitore, 35 barazime dhe 28 humbje dhe pa diskutim mund të konsiderohet si një nga trajnerët më të suksesshëm me klubin kuqezi.