Ka “tym të bardhë” pas takimit të drejtuesve të Milanit, Boban e Maldini, me ish-trajnerin e Interit dhe Fiorentinës, Stefano Pioli, i cili ka pranuar të ulet në stolin e kuqezinjve dhe pritet të hedhë firmën mbi kontratë këtë pasdite.
Drejtuesit e klubit i kanë shpjeguar projektin teknikut italian dhe ky i fundit i ka bindur ata me idenë për të luajtur me skemën 4-3-3, ku pritet të rikuperojë Suson e Calhanoglu në krah të sulmuesit kryesor Piatek.
Nga momenti në moment pritet që klubi kuqezi të njoftojë shkarkimin e trajnerit Marco Giampaolo, i cili nuk arriti të implementojë idetë e tij në skuadër, ndërsa pasdite Pioli do të nënshkruajë një kontratë dyvjeçare me pagë prej 1.5 milionë eurosh në sezon.
Stefano Pioli mposht kështu konkurrencën me ish-trajnerin e Interit, Luciano Spalletti, pasi ky i fundit nuk arriti të zgjidhë në mënyrë konsensuale kontratën me klubin zikaltër dhe do të vazhdojë pushimet deri në verën e 2021-shit.
Por tekniku i ardhshëm i Milanit nuk është pritur mirë nga tifozeria e kuqezinjve, që kanë shpërthyer në rrjetet sociale, duke shprehur hapur pakënaqësinë e zgjedhjes së dyshes Maldini-Boban.