Kandidati i partisë “Europa tani!”, Jakov Milatoviç fitoi bindshëm zgjedhjet presidenciale në Malin e Zi. Milo Gjukanoviç që ka përcaktuar prej vitesh politikën në Malin e Zi duhej të pranonte humbjen.
Në Malin e Zi, ish-ministri i Ekonomisë, Jakov Milatoviç ka fituar qartë zgjedhjet e balotazhit për president. Kandidati 36 vjeçar i partisë “Europa tani!” ka arritur të marrë 60% të votave. Presidenti aktual, Milo Gjukanoviç arriti të marrë vetëm 40% të votave. 61-vjeçari e uroi në natën e zgjedhjeve pasuesin e tij. “Rezultati është si është, dhe nganjëherë mund të humbasësh zgjedhje”, tha Gjukanoviç në Podogoricë.
Fund i erës së Gjukanoviçit
Me humbjen e zgjedhjeve presidenciale nga Gjukanoviç merr fund një epokë në Malin e Zi, në të cilën presidenti aktual ka përcaktuar në masë të madhe politikën e shtetit të vogël ballkanas. Në vitin 2006 Gjukanoviç e pavarësoi Malin e Zi si pjesë të ish-republikës jugosllave dhe në vitin 2017 ia doli të anëtarësojë Malin e Zi në NATO. Vetë Gjukanoviç dhe partia e tij e socialistëve, DPS janë akuzuar gjithmonë për korrupsion, nepotizëm dhe lidhje me krimin e organizuar, por ata i kanë hedhur poshtë fajësimet.
Fituesi i zgjedhjeve presidenciale, Jakov Milatoviç e ka vendosur luftën kundër korrupsionit në fokus të programit të tij dhe ka premtuar një standard më të lartë jetese për qytetarët malazezë. Ai kërkon të forcojë marrëdhëniet e Malit të Zi si me fqinjen Serbinë ashtu edhe me BE. “Brenda 5 vjetësh ne do ta çojmë Malin e Zi në BE”, ka premtuar Milatoviç. Në festimet e përkrahësve të tij, dëgjoheshin thirrjet “Milo, mori fund!”.
Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, Milo Gjukanoviç mori numrin më të lartë të votave, por në balotazh nuk konsiderohej si i preferuar. Rivalin e tij e mbështeti i gjithë kampi proserb në Malin e Zi, i cili në fillim doli vetë me disa kandidatë, mes tyre edhe partia e hapur proruse, Fronti Demokratik, DF. Presidenti, që zgjidhet çdo pesë vjet ka kompetenca protokollare në Malin e Zi, por në kohë krize ato konsiderohen të rëndësishme. Kështu tre ditë para zgjedhjeve presidenciale, Milo Gjukanoviç shpërndau parlamentin dhe shpalli zgjedhjet parlamentare më 11 qershor.