Bota Miliarderi misterioz që fshihet pas fitores së Trumpit dhe Brexit

Miliarderi misterioz që fshihet pas fitores së Trumpit dhe Brexit

Miliarderi amerikan Robert Mercer, i njohur për kujdesin ekstrem përballë mediave, ka luajtur një rol vendimtar në fitoren në zgjedhje të Donald Trump në Shtetet e Bashkuara dhe triumfin e “Brexit” në Britaninë e Madhe, sipas “The Guardian”, shkruan Dita.

Mercer, që i dedikohet fondeve private të investimit, ishte donatori më i madh i fushatës së presidentit aktual të SHBA-ve, me 13.5 milionë dollarë.

Ai është gjithashtu një nga pronarët e medias “Breitbart News Network” që konsiderohet si platforma e së djathtës në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar; si dhe mik personal i politikanit britanik, Nigel Farage, personi që nxiti nismën për të braktisur BE-në.

Në vitin 2015,  “The Washington Post” e quajti këtë ish programues ekspert të inteligjencës artificiale, si një nga 10 miliarderët më me ndikim për pjesëmarrjen e tyre aktive në politikë. Megjithatë, kontributi i tyre nuk kufizohet vetëm në planin ekonomik.

Robert Mercer

Robert Mercer vë në dispozicion të fushatave politike që dëshiron të mbështesë “një armë vdekjeprurëse”, kompaninë “Cambridge Analytica”, një konsulente e specializuar në analizimin e sjelljes së njerëzve në rrjet, duke i njohur ata me mirë se sa miku i tyre i ngushtë.

Kjo kompani ka studiuar profilet psikologjike të miliona amerikanëve para konsultimeve popullore dhe ka inkurajuar të shkojnë në votime përmes fushatave të caktuara drejtuar tyre.

Drejtori ekzekutiv i “Cambridge Analytica”, Alexander James Ashburner Nix,  zbuloi se komunikimet e bazuara në analizat e të dhënave luajtën një “rol kyç” në fitoren e Trump.

Para ‘Brexit’, firma kreu të njëjtën detyrë në sajtin Leave.eu, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në rezultatin e këtij referendumi.

Andy Wigmore, ish drejtor i komunikimit të kësaj faqeje tha për “The Guardian” se “inteligjenca artificiale bëri që në referendum të fitonte “Leave” (largimi nga BE)”.