Një gjykatë në Vietnam ka dënuar me vdekje manjaten e pasurive të patundshme, Truong My Lan.
67-vjeçarja u dënua për rolin që ka pasur në një çështje mashtrimi financiar prej 12.46 miliardë dollarësh dhe mashtrim të një prej bankave më të mëdha në shtet prej 11 vitesh. Ky po konsiderohet si gjyqi më spektakolar i realizuar ndonjëherë në Vietnam, me zbulimin e mashtrimit më të madh të një banke në vend.
Ky verdikt është shumë i rrallë, pasi shumë pak gra janë dënuar me vdekje në Vietnam, sidomos për një krim të kësaj natyre.
Gjyqi ndaj Truong My Lan nisi më 5 mars dhe u mbyll më herët nga ç’ishte planifikuar dhe u cilësua si fundi dramatik i një fushatë kundër korrupsionit të nisur nga lideri i Partisë Komuniste në pushtet, Nguyen Phu Trong.
Lan, drejtuesja e zhvilluesit të pasurive të patundshme Van Thinh Phat Holdings Group, u shpall fajtore për përvetësim, ryshfet dhe shkelje të rregullave bankare në fund të një gjyqi në qendrën e biznesit të qytetit Ho Chi Minh, sipas raportimit të media shtetërore.
“Ne do ta vijojmë betejën dhe do të shohim se ç’mund të bëjmë”, i tha një anëtar i familjes agjencisë së lajmeve Reuters.
Përpara se të merrej verdikti, ai tha se Lan do ta apelonte dënimin. Lan ishte deklaruar e pafajshme për akuzat për përvetësim dhe ryshfet.
Sipas të dhënave, Truong My Lan ka zhvatur më shumë se 44 miliardë dollarë në formë kredie prej Saigon Commercial Bank.
Sipas autoriteteve komuniste, për të dëshmuar në çështje janë thirrur plot 2.700 njerëz dhe u përfshinë 10 prokurorë dhe më shumë se 200 avokatë. Provat u gjetën në më shumë se 104 kuti që peshonin rreth 6 tonë.
Të gjithë të akuzuarit u shpallën fajtorë dhe morën dënim me burg të përjetshëm, ose me 20 vite sipas shkallës së përfshirjes. Truong My Lan vjen nga një familje vietnameze që jeton në qytetin Ho Chi Minh, i njohur dikur si Saigon.
Ajo e nisi karrierën si një shitëse në pazarin e zonës, duke shitur produkte kozmetike me të ëmën dhe më pas nisi të blejë toka dhe prona pasi partia komuniste bëri një reformë të re ekonomike të njohur si Doi Moi në 1986-ën. Deri në vitin 1990, ajo ishte pronare e një linje hotelesh dhe restorantesh. Deri në 2011-ën, Truong My Lan ishte e njohur si një nga figurat më të rëndësishme të biznesit në qytetin e saj dhe u lejua të bashkëpunonte me 3 bankat më të njohura në vend të cilat ishin pjesë e etnitetit Saigon.
Ligji vietnamez e ndalon që një individ të mbajë më shumë se 5% të aksioneve apo kredive në bankat e vendit, por prokurorët thonë se Truong My Lan arriti të marrë në pronësi më shumë se 90% të aksioneve në Saigo Commercial, duke përdorur persona të tjerë dhe kompani të krijuara për të zënë vendin e saj.
Kreditë e saj zënë 93% të të gjitha kredive të shpërndara nga banka në fjalë. Sipas prokurorëve, për një periudhë prej 3 vitesh nga shkurti 2019, ajo urdhëroi shoferin e saj të tërheqë më shumë se 4 miliardë dollarë në cash nga banka dhe i ruajti në bodrum.
Vietnami vendos dënimin me vdekje kryesisht për vepra të dhunshme, por edhe për krime ekonomike. Grupet e të drejtave të njeriut thonë se në vend janë ekzekutuar qindra të dënuar në vitet e fundit, kryesisht me injeksion vdekjeprurës.