Bota Milo Gjukanoviç refuzon propozimin për kryeministrin e ri të Malit të Zi

Milo Gjukanoviç refuzon propozimin për kryeministrin e ri të Malit të Zi

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, refuzoi të martën propozimin që Miodrag Lekiç të jetë mandatari i ri për formimin e qeverisë, ndërsa hodhi propozimin që të shkurtohet mandati i parlamentit aktual, për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të reja.

Të hënën Fronti Demokratik pro-serb, Demokratët dhe URA e kryeministrit ne largim Dritan Abazoviç, u pajtuan që Miodrag Lekiç të jetë mandatar, por nuk i dorëzuan nënshkrimet e 41 deputetëve të tyre në parlamentin 81 vendesh. Këto parti fituan shumicën në zgjedhjet parlamentare të gushtit të vitit 2020.

Presidenti Gjukanoviç tha se nuk ishte i bindur se ekziston një shumicë e qartë për formimin e një qeverie, “që do t’u ofronte zgjidhje problemeve shumë të vështira në planin financiar, ekonomik, juridik, institucional dhe politik”. Ai vuri theksin te aspekti i sigurisë duke nënvizuar se kriza aktuale në Evropë, e shkaktuar nga agresioni i Rusisë në Ukrainë ka ndikime në sigurinë e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Gjukanoviç tha se zgjidhja e situatës politike është shkurtimi i mandatit të parlamentit, që do të hapte mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Mali i Zi është me qeveri teknike që nga muaji gusht kur parlamenti miratoi një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviç, pak pasi ai nënshkroi një marrëveshje të diskutueshme me Kishën Ortodokse Serbe.