Policia e Elbasanit ka finalizuar operacionin “Prevention”, ku është arrestuar Luis Gaxhi dhe Rigers Spahiu nga 37-vjeç.
Gjatë operacionit në banesën e Luis Gaxhit janë gjetur 4 armë zjarri kallashnikovë, dy prej të cilave të modifikuara dhe me silenciatorë, 3 pistoleta me silenciatorë, 2 mina me telekomandë të gatshme për t’u aktivizuar për shpërthim me komandim në distancë, nëpërmjet aparateve celularë, kapsolla detonatore, një sasi lëndë plasëse e dyshuar “C4”, 4 aparate celularë dhe një sasi e konsiderueshme municioni luftarak blindshpues.
37-vjeçari është i dënuar në fushën e narkotikëve, në Belgjikë.
Ndërkohë, Spahiu ka rënë në prangat e policisë pasi dyshohet si bashkëpunëtor në aktivitetin kriminal të Luis Gaxhi.
Pas sekuestrimit të municioneve, skuadrat xheniere të Njësisë Antieksploziv të Repartit Special RENEA, kanë bërë të mundur çaktivizimin e minave të telekomanduara, të cilat paraqisnin rrezikshmëri për jetën e banorëve dhe efektivëve të Policisë së Shtetit.