Liderët e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen sërish për Mini-Shengenin ballkanik. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, i cili tha se takimi do të bëhet në 10 nëntor në Ohër.
Kreu i qeverisë tha se nisma do të jetë gjithëpërfshirëse dhe do të vazhdojë edhe më tutje.
Edi Rama: Përpara disa javësh ne bënë një deklaratë të përbashkët me Presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut në funksion të hapjes së një faqeje të re në historinë e rajonit, bazuar në 4 liritë e BE. Lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve. Një nismë gjithëpërfshirëse që do të shkojë më tutje me takimin e Ohrit në 10 nëntor ku janë të ftuar të gjithë liderët e rajonit dhe jo vetëm kaq, por edhe protagonistë të tjerë partnerë ndërkombëtarë në procesin e transformimit të kësaj hapësire ku jetojmë nga një zonë konflikti në një hapësirë bashkëpunimi. Turizmi është me rëndësi të veçantë që në aspektin e zhvillimit të mëtejshëm si një nga burimet më të rëndësishme dhe potencialet më të mëdha të rritjes ekonomike të vendeve tona ne të ndërtojmë ura të reja bashkëpunimi. Në këtë drejtim ne shikojmë me shumë rëndësi krijimin e një hapësire lirie të plotë edhe për rritjen e numrit të turistëve kinezë që vizitojnë vendin tonë.
Deklarata e kryeministrit u bë gjatë një takimi mbi zhvillimin e qëndrueshëm urban.