Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar nga Kuvendi se ministra e drejtorë në qeveri janë të lidhur me elementë të krimit të organizuar shqiptar në botë. Sipas tij, këto lidhje janë zbuluar nga agjencitë e huaja të zbatimit të ligjit.
“E kam një lajm shumë të veçantë sot. Mësojeni pak. Sipas raportimeve të mediave, agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit, Italisë, Francës, Gjermanisë, Belgjikës, Holandës dhe Britanisë së Madhe, janë identifikuar lidhje të shumta të krimit të organizuar shqiptar me zyrtarë të shtetit shqiptarë.
Ministria, drejtorë, gjyqtarë, prokurorë, punonjës policie. Këto të thëna gjenden aktualisht pranë agjencive të këtyre vendeve. Një ndihmë të veçantë ka dhënë zbërthimi i aplikacionit SKY ECC”, tha ndër të tjera ish-kryeministri Berisha.
Po çfarë është “Sky ECC”, aplikacioni që i referohet Berisha:
Gjithçka nisi pak muaj më parë kur policia belge mori të dhëna se grupet mafioze komunikonin mes tyre përmes një aplikacioni të sofistikuar dhe të pagjurmueshëm nga organet e rendit.
Nëpërmjet këtij aplikacioni ata flisnin për organizimin e trafiqeve, porositjen e vrasjeve dhe gjithçka tjetër mbi aktivitetin e tyre kriminal.
Bëhet fjalë për aplikacionin “Sky ECC”, ku thyerja e të cilit u pasua nga një numër i madh operacionesh duke arrestuar dhjetëra anëtarë të grupeve kriminale, ndërsa u kapën edhe sasi të mëdha droge dhe armësh.
Pas thyerjes së kodit të këtij aplikacioni, policia ishte në gjendje të lexonte mesazhet e koduara të dërguara nga trafikantët e dyshuar të drogës për disa vite. Hetimi shkaktoi një seri arrestimesh spektakolare.
Disa ditë më parë agjencia evropiane për bashkëpunim të zbatimit të ligjit (Europol) në një operacion të përbashkët kundër trafikantëve të drogës, arrestoi 45 persona. Europol thoshte se ky operacion ishte “goditje nga kriminelëve shqipfolës që kanë vërshuar Evropën me kokainë”.
Ky operacion i madh, që është zhvilluar kryesisht në Spanjë dhe Belgjikë, vlerësohet të jetë në kuadër të operacioneve të gjera kundër importit në sasi të mëdha të drogës nga Amerika Latine.
“Një operacion ndërkombëtar, me përfshirjen e autoriteteve të sundimit të rendit dhe ligjit në shtatë shtete, ka rezultuar me shpartallimin e njërit prej rrjeteve të trafikimit shqipfolës, më aktiv në Evropë. Sot, Eurojust dhe Europol mbështetën aksionet në Belgjikë dhe Spanjë, gjatë të cilave u bastisën mbi 80 lokacione dhe 45 të dyshuar u arrestuan”, thuhet në njoftimin e kësaj agjencie të Bashkimit Evropian që e ka selinë në Hagë të Holandës.
Dyshohet se të arrestuarit kishin importuar kokainë nga Amerika Latine në disa vende në Evropë, duke organizuar transportin e drogës përmes avionëve, anijeve, makinave e kamionëve, dhe kanë udhëhequr tregun e shitjes.
Spanja dhe shtetet e tjera të BE-së, sipas Europol-it, janë përdorur si vende për të fshehur aktivitetin e tyre.
Europol tha se “ky rrjet kriminal i nivelit të lartë ka themeluar një sërë ndërmarrjes në shtete të ndryshme për të pastruar paratë, përfshirë edhe në Kroaci dhe Spanjë. Pjesëtarët e këtij grupi shpesh kanë udhëtuar në Dubai, Meksikë dhe Kolumbi për të aranzhuar bizneset e tyre ilegale, duke përdorur komunikim të koduar për të koordinuar aktivitetet e tyre”.
Në këtë aksion kanë marrë pjesë 600 oficerë nga Belgjika, Spanja, Kroacia, Gjermania, Italia, Holanda dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ka angazhuar zyrtarë të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI).
Operacioni ka nisur më 2018 dhe është një prej më të mëdhenjve që e kanë mbështetur Europol dhe Eurojust.