Në një takim me banorët e moshës së tretë në Librazhd, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku së bashku me Ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi theksuan rëndësinë e kujdesit për të moshuarit dhe sfidat e sistemit të pensioneve në Shqipëri.
Ata vlerësuan përkushtimin e Bashkisë së Librazhdit ndaj këtij grupi shoqëror, duke e quajtur një traditë që ka qenë gjithmonë pjesë e komunitetit.
Në fjalën e tij ministri Balla, duke ndarë një përvojë personale, foli për prindërit e tij si shembull të gjeneratës që ka punuar me përkushtim dhe përballë sfidave të sistemeve të ndryshme ekonomike.
“Mamaja ime ka punuar 42 vite si infermiere me turne, nga një fshat në tjetrin. Do të doja që ajo të kishte një pension më të madh, por duhet ta pranojmë që vitet e kontributit para ’90-ës u zeruan kur ndryshoi sistemi,” shpjegoi Balla.
Ministri Balla theksoi se pas vitit 2013, qeveria ka punuar për të stabilizuar skemën e pensioneve dhe për të garantuar që ajo të mbetet funksionale.
“Nëse në 2013 nuk do të kishim marrë drejtimin e qeverisë, në 2014 nuk do të kishim më mundësi të shpërndanim pensione,” u shpreh ai.
Në përfundim, Balla garantoi se përmirësimi i kushteve të jetesës për të moshuarit do të mbetet një prioritet i qeverisë dhe një angazhim i vazhdueshëm për komunitetin e Librazhdit.
Ndërsa ministri Mazniku në fjalën e tij theksoi se qeveria do të ofrojë këtë vit një bonus më të madh se vitet e kaluara.
“Deri në mes të dhjetorit, do të kemi lajme shumë të mira për çështjen e pensioneve. Në veçanti, këtë vit do të ofrojmë një bonus më të madh se vitet e kaluara. Nga ana tjetër, për vitin e ardhshëm, po shohim mundësinë e një rritjeje të qenësishme të pensioneve, veçanërisht për ata që marrin pensionet më të ulëta”, tha Mazniku.