Ministri i ri i Brendshëm Taulant Balla, i cili mori detyrën dy ditë më parë, sot ka prezantuar prioritetet e punës së tij.
Në një takim me drejtues të Policisë së Shtetit, Balla e nisi fjalën duke thënë se ndryshe nga paraardhësit e tjerë, nuk do të ndryshojë asnjë drejtues dhe shef policie.
Ministri i Brendshëm e bëri të qartë se do të udhëheqë punën dhe do të mbështesë çdo punonjës të Policisë së Shtetit në kauzën e përbashkët për të përmirësuar akoma më shumë këtë organizatë.
Por, theksoi Balla, kushdo funksionar policie që nuk përmbush objektivat, nuk do të qëndrojë në pozicionin që ka.
“Ju drejtohem sot me ndjenjën e përgjegjësisë më të madhe të jetës sime publike dhe të mirënjohjes së thellë për besimin e kryeministrit, Presidentit dhe Grupit Parlamentar të maxhorancës, për marrjen e detyrës së ministrit tuaj. Ju bëj me dije që në fillim, se kam hyrë në këtë godinë me vetëdijen se suksesi në punën time është i pamundur pa ju dhe se krijimi i një fryme skuadre në luftën për përmbushjen e objektivave të këtij sektori është baza e suksesit që synoj. Ju siguroj për respektin tim, për dijet, eksperiencën, profesionalizmin e kësaj trupe dhe për gatishmërinë time që të punoj me të gjithë ju, duke i dhënë secilit dhe secilës mundësinë të shpalosë aftësitë e veta për të bërë së bashku më të mirën.
Ka ndodhur në të shkuarën që paraardhës të nderuar të mitë në këtë detyrë e kanë nisur punën e tyre duke ndërruar drejtuesit dhe shefat.
Unë nuk e ndjej sot veten më të zotin se askush nga ju dhe nuk e shoh të udhës që të gjykoj asnjërin prej jush nga lartësia e detyrës sime. Jam këtu për t’ju udhëhequr, duke ju dëgjuar, duke ju mbështetur, duke mësuar prej jush dhe duke zbritur në çdo nivel të veprimtarisë së kësaj ministrie, në çdo zyrë e komisariat, nga Tropoja deri në Konispol.
Natyrisht fakti që unë e marr stafetën nga një koleg dhe shok i mirënjohur për seriozitetin dhe për korrektesën e tij, në një fazë kur reformimi i sektorit ka tanimë 10 vite që ka nisur, ma bën më të lehtë se sa sikur të më duhej të nisja gjithçka nga e para.
E sotmja s’ka krahasim me të shkuarën dhe gur pas guri ndërtimi i murit të shtetit në këtë sektor ka avancuar në mënyrë të dukshme dhe të padiskutueshme. Por e ardhmja nuk duhet të ketë krahasim me të sotmen dhe unë jam këtu me detyrën për të vazhduar me ju ndërtimin e murit, edhe më mirë, edhe më shpejt, duke përmirësuar çdo gjë, në çdo drejtim.
Kush do të jetë i gatshëm për ta bërë këtë në pozicionin që ka në vijën e këtij fronti të përbashkët, do të ketë mbështetjen time pa rezerva në çdo hap dhe derën time të hapur pa orar për çdo nevojë. Ndërsa kush nuk do të tregojë gatishmërinë për të shkuar përtej vetes, duke e rritur kontributin për kauzën e përbashkët, do ta ketë të pamundur të qëndrojë në pozicionin që ka”, tha ndër të tjera ministri i Brendshëm Taulant Balla.