Ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë dhe në konferencën e përbashkët me ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, dha mbështetje për hapjen e negociatave.
Haavisto theksoi se Ballkani Perëndimor është një rajon në qendër të Evropës dhe se Helsinki kërkon që Shqipërisë t’i çelen bisedimet e anëtarësimit.
“Ballkani Perëndimor nuk është në një qoshe të largët, por është në qendër të Evropës. Ne i mbështesim bisedimet që po zhvillohen me Malin e Zi dhe Serbinë, tani duam që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të nisin bisedimet. Ne nuk jemi të vetëm në marrjen e vendimit, por ai duhet të merret në unanimitet me të gjitha vendet. Ne jemi në bisedime me të gjitha vendet dhe me Tiranën për progresin e bërë. Vendet nuk i bëjnë këto ndryshime për shkak të BE, por për zhvillimin e tyre. Të gjitha këto hapa janë pjesë e demokracisë dhe transparencës demokratike”, tha ministri finlandez.
Pekka Haavisto kritikoi edhe ato shtete të Bashkimit Evropian që kërkojnë të fokusohen në reformimin e brendshëm të unionit, duke lënë në hije procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit.
“Problemet e tyre të brendshme nuk kanë pse të pengojnë procesin e zgjerimit”, theksoi Haavisto.
Ndërkohë, ministri Cakaj, i pyetur për mundësinë e ndarjes së Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria në procesin e negociatave, theksoi se “një proces i tillë nuk është në agjendë”.