Gjermania pret tkurrje të përfshirjes së SHBA-së në Europë në vitet e ardhshme, ndaj e sheh si të domosdoshëm rritjen e kapacitetit të sigurisë dhe mbrojtjes.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, në një intervistë me Welt am Sonntag, thotë se përballë kërcënimit që paraqet Rusia, Europa duhet të përgatitet për t’ia dalë vetë.
Pistorius ka deklaruar se Europa duhet të riarmatoset që mund të mbrohet më mirë pasi kërcënimet e reja ushtarake mund të shfaqen deri në fund të kësaj dekade.
“Pavarësisht se kush do të bëhet presidenti i ardhshëm i SHBA-së… do të ketë një reduktim, shpresojmë vetëm të moderuar, në përfshirjen amerikane në Europë. Kjo do të thotë se ne evropianët duhet të rrisim angazhimin tonë për garantojmë sigurinë në kontinentin tonë”, tha ai.
Pistorious tha se ushtria amerikane pritet të kthejë gjithnjë e më shumë vëmendjen e saj në rajonin e Paqësorit në dekadën e ardhshme, që do të thotë më pak fokus në Europë.
Pistorius paralajmëron se fakti që Rusia e ka rritur prodhimin e armëve për të mbështetur operacionet e saj në Ukrainë është një kërcënim real për Europën, veçanërisht për shtetet baltike, Gjeorgjinë dhe Moldavinë. “Nuk është shaka. Rreziqet mund t’i kemi përpara në fund të kësaj dekade”, tha ai.
Europa është e qartë se mund t’i duhet gjithashtu të kompensojë ndihmën e SHBA-së për Ukrainën nëse Uashingtoni nuk arrin të bie dakord për financimin e ri.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në fillim të kësaj jave paralajmëroi se presidenti rus Vladimir Putin do të bëjë luftë diku tjetër pas Ukrainës.
“Nëse Putini fiton në Ukrainë, ekziston rreziku real që agresioni i tij të mos përfundojë këtu”, u tha Stoltenberg gazetarëve gjatë një takimi këtë javë. “Mbështetja jonë nuk është bamirësi. Është një investim në sigurinë tonë.”
Por sipas Pistorius, në rast nevoje, Europës i duhen 5-8 vjet që industria e saj të rrisë kapacitetin e prodhimit.
Sipas tij, pushteti i ri në Poloni, do të mundësojë që Berlini, Parisi dhe Varshava, të rrisin bashkëpunimin e tyre ushtarak. Pistorius ka thënë se nuk parasheh që ushtria gjermane t’i përsërisë misionet sikurse ato që i ka pasur në Afganistan apo Mali. Misioni gjerman në Afganistan, ka qenë i pari për këtë shtet prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.