Politika Ministri Hasani me homologun turk: Turqia mike, gjithmonë pranë në momente të...

Ministri Hasani me homologun turk: Turqia mike, gjithmonë pranë në momente të vështira

Shkëmbimet tregtare të kalojnë shifrën 1 miliard euro

Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka pritur në një takim sot ministrin e Jashtëm të Turqisë, i cili po zhvillon një tur ballkanik.

Në deklaratën për media, pas takimit mes tyre, ministri Hasani vlerësoi marrëdhëniet e ngushta dhe partneritetin mes Shqipërisë dhe Turqisë.

“Turqia mike na është gjendur gjithmonë pranë në ditët tona më të vështira. Aktualisht marrëdhëniet mes vendeve tona në çdo fushë janë të shkëlqyera dhe kanë njohur vetëm rritje. Sot ne zhvilluam takimin e dytë të grupit për dialog politik. Ky takim e forcon edhe më tej karakterin strategjik të bashkëpunimit në të gjitha fushat. Intensifikimi i dialogut politik mes nesh është shoqëruar me rritje kuptimplotë të bashkëpunimit dypalësh”.

Sa i përket shkëmbimeve tregtare, ministri Hasani tha se shifra prej 760 milionë Euro nuk pasqyron potencial real që ekziston mes dy shteteve, dhe theksoi se do të punohet që niveli i shkëmbimeve tregtare dypalëshe të kalojë shifrën e 1 miliard Eurove.

“Diskutuam për bashkëpunimin në fushën ekonomike dhe tregtare. Investimet turke arrijnë në rreth 3.7 miliardë Euro, ndërsa më shumë se 15 mijë shqiptarë janë të punësuar nga 830 kompani turke që operojnë në vendin tonë. Konstatuam se niveli i shkëmbimit të vëllimit tregtar në kuotën e gati 760 milionë Eurove nuk pasqyron ndoshta realisht potencialin ekzistues midis dy vendeve, ndonëse klima e të bërit biznes në Shqipëri është tejet e favorshme. Ne jemi të vendosur që ky tregues të kalojë shifrën 1 miliard Euro”.

Ministri i Jashtëm tha gjithashtu se presin nga Turqia hyrjen në fuqi të marrëveshjes për njohjen reciproke të patentave.