Politika Ministri i Jashtëm kinez kujton rolin e Shqipërisë në rikthimin e Pekinit...

Ministri i Jashtëm kinez kujton rolin e Shqipërisë në rikthimin e Pekinit në OKB

Ministri i jashtëm i Kinës, Vang Ji

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, kujtoi kontributin e Shqipërisë komuniste për rikthimin e Kinës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, 50 vite më parë. Gjatë vizitës në Tiranë, ku u takua me homologen Olta Xhaçka, Yi falënderoi Shqipërinë për rolin e saj, sipas një njoftimi për mediat të lëshuar nga Ministria e Jashtme.

“Një vend të veçantë zuri në këtë bisedë edhe shkëmbimi i mendimeve mbi bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit ku Shqipëria do të ulet për një mandat dy vjeçar gjatë viteve 2022 – 2023. Të dy ministrat konfirmuan vullnetin e dyanshëm për të zhvilluar konsultime e për të bërë përpjekje të sinqerta për të gjetur hapësira bashkëpunimi e mirëkuptimi”, thuhet në njoftim.

Dy ministrat mbështetën heqjen e vizave për të gjithë shtetasit shqiptarë që duan të vizitojnë Kinën, për të cilën Ministri Yi vlerësoi se vendi i tij do të respektojë parimin e reciprocitetit.

Si fituese e Luftës II Botërore, Republika e Kinës ishte një prej shteteve themelues të OKB-së në vitin 1945. Por pas luftës civile në Kinë, qeveria nacionaliste u tërhoq në ishullin e Tajvanit, ndërsa në pjesën tjetër të territorit u themelua Republika Popullore e Kinës, një shtet komunist.

Në OKB njihej vetëm Republika e Kinës. Që prej vitit 1968, Shqipëria komuniste propozonte çdo vit rezoluta për pranimin e Republikës Popullore të Kinës në vend të Republikës së Kinës. Vetëm në vitin 1971, kjo rezolutë u miratua, falë votave të shumicës së shteteve komuniste të kohës, përfshirë Bashkimin Sovjetik, por edhe të Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës.

Pas këtij votimi, presidenti amerikan i kohës, Nixon, vizitoi personalisht Kinën në vitin 1972, duke nisur kështu normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Por çështja e ishullit të Tajvanit mbetet edhe sot një temë e nxehtë. Ishulli kërkon të qëndrojë i pavarur, ndërsa Kina kërkon ta ribashkojë me pjesën tjetër të vendit, qoftë edhe me forcë. Për të shmangur pushtimin, drejtuesit e Tajvanit kërkojnë vazhdimisht mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, ndërsa presidentja e vendit pranoi dy ditë më parë se trupa amerikane janë në ishull për të stërvitur ato tajvaneze.