Gjatë fjalimit të tij në mbledhjen Shqipëri-Kosovë, Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, rrëfeu edhe një detaj shumë interesant.
Gjatë kohës kur Aliu ishte në gjimnaz, ai dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ishin shokë klase.
Liburn Aliu: E për mua është edhe një kënaqësi tjetër. Po e shkruajmë këtë memorandum në Elbasan, në qytetin ku unë kam qenë në shkollë, në gjimnazin “Dhaskal Todri” dhe kam pasur shoqe klase ministren Evis Kushi. Sot pas kësaj mbledhjeje do të mund të pimë kafe me shokët tanë të klasës. Kjo ia shton, aq më tepër për mua personalisht, gëzimin e shkrimit të këtij memorandumi dhe ju uroj të gjithëve punë të mbarë.
Lehtësohen procedurat për njohjen e diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore mes Kosovës dhe Shqipërisë
Në mbledhjen e sotme të dy qeverive Kosovë-Shqipëri u prezantua dhe projekti i ri për fushën e arsimit.
Në fjalën e saj ministrja Kushi theksoi se është dakordësuar se do të lehtësohen procedurat për njohjen e diplomave, certifikatave, gradave shkencore doktor që jepen nga institucionet tona arsimore.
Sipas Kushit, kjo është një marrëveshje, e cila nuk ka efekte financiare, por është e rëndësishme që të ketë vullnet dhe angazhim nga të dyja palët.
Evis Kushi: Jam shumë e lumtur që kjo mbledhje zhvillohet në Elbasan. Përsa i takon marrëveshjes që do të nënshkruajmë sot në fushën e arsimit jam shumë optimiste sepse kjo vjen si një domosdoshmëri pas shumë vitesh kur të rinjtë shqiptarë të diplomuar në shumë institucione të Shqipërisë dhe Kosovë, për fat të keq hasin shumë vështirësi dhe vonesa në njohjen apo vlerësimin e diplomave të tyre. Prandaj, kemi vendosur, dakordësuar që të lehtësojmë procedurat dhe të shkurtojmë afatet për njohjen e diplomave, certifikatave, gradave shkencore doktor që jepen nga institucionet tona arsimore, duke shmangur kështu të gjitha burokracitë. Kjo është një marrëveshje që lejon që brenda 14 ditëve t’i jepet përgjigje autenticitetit të diplomave kur kjo kërkohet nga pala tjetër dhe brenda 20 ditëve pune kryehet e gjithë procedura e plotë e njohjes dhe njësimit të diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore doktor.
Është një marrëveshje, e cila nuk ka efekte financiare, por është e rëndësishme që të ketë vullnet dhe angazhim nga të dyja palët, të cilën ne e kemi sepse brenda një kohë të shkurtër kemi rënë në dakordësi të kësaj marrëveshje.
Shpresoj shumë që ashtu siç e prezantoi kryeministri Rama ne të punojmë për abetaren unike të përbashkët. Unë i vlerësoj të gjithë punët që janë bërë për kurrikulën e përbashkët, por besoj se një abetare unike, e re, e vendosur në kontekstin e ri kulturor, shoqëror të zhvillimeve ekonomike, digjitale, besoj se do të jetë në dobi të nxënësve tonë të të dyja vendeve. Jam e angazhuar për ta realizuar këtë projekt për vitin e ardhshëm.