Në një rrëfim për jetën dhe karrierën për emisionin Opinion në Tv Klan, ish-Kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano ka treguar se në momente vendimesh të vështira, askush nuk të gjendet pranë dhe je vetëm.
Përballë gazetarit Blendi Fevziu, ai ka treguar se goditjen e fundit e jep shefi i Qeverisë, dhe për këtë arsye, askush nuk e ka përgjegjësinë më të madhe se sa Kryeministri.
Në këtë aspekt, Fatos Nano ka treguar një histori të vitit 1998, kur i duhej të përballej me situatën e shpërthimit të burgut të Tiranës, ministri i Brendshëm i qeverisë së tij, Neritan Ceka, braktisi detyrën dhe u largua.
“Iku në shtëpi”, u shpreh Nano për Neritan Ceka.
Pasi situata u zgjidh, Ceka e kishte telefonuar sërish duke i thënë që gjithçka ishte zgjidhur.
Blendi Fevziu: Një gjë interesante është që në intervistën e para disa javëve me Kryeministrin (Edi Rama), ai më tha që me Nanon kam një raport të mirë edhe për një arsye, sepse ai është i vetmi që e di se sa i vetmuar është të jesh në zyrën e Kryeministrit. Ju keni marrë vendime shumë më të rëndësishme se sa Kryeministri i sotëm, shumë më të rëndësishme se shumë Kryeministra në historinë e Shqipërisë, për arsye të momenteve historike në të cilat keni drejtuar qeverinë. Është e vërtetë që kur je në zyrën e Kryeministrit, edhe pse je i rrethuar nga shumë njerëz, vendimet duhet t’i marrësh i vetëm? Pra, sipas një logjike që e thotë dhe Sarkozy, fitoren e ndan me shumë vetë, ndërsa dështimin të ngelet gjithmonë vetmitar. Është e vërtetë?
Fatos Nano: Në thelb është e vërtetë. Sepse Kryeministri ose drejtuesi i një mazhorance qeverisëse ka barrën dhe peshën e sëpatës së fundit. Sado të konsultohesh, sado të jesh i hapur për të dëgjuar mendimet e të tjerëve, goditjen e fundit do ta japësh vetë. Ndërkohë, askush nga të tjerët, veçanërisht në kushtet e një shoqërie tradicionale siç kemi qenë ne, nuk e ka përgjegjësinë për të qenë këmbëngulës që ai e ka gjetur zgjidhjen e vërtetë. Nuk është këmbëngulës sepse nuk e ndjen përgjegjësinë e liderit. Prandaj në momentet e fundit duhet ta ndash vetë thellësinë e veprimit, gjerësinë e shtrirjes dhe impaktin duke përfshirë dhe të pakënaqurit që do krijosh afër teje.
Blendi Fevziu: Ka pasur momente që je detyruar të marrësh vendime shumë të vështira dhe për ty vetë?
Fatos Nano: Padyshim ka pasur.
Blendi Fevziu: Kujton ndonjërin?
Fatos Nano: Po. Janë dy llojesh. Domethënë unë praktikisht kam qenë në zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë deri në 2005, pothuajse çdo 4 vjet. Që do të thotë 2-3 herët e para unë nuk kam arritur të shpalos programin. Ishin kohë emergjencash, ishin konflikte të nxitura nga palët politike, opozita ishte shumë pak operuese, ishte agresive, dhe mua më duhej të zhvendosesha nga kontrolli i një përpjekje për të shpërthyer burgun e Tiranës, siç ndodhi në Mars ’98, tek ndjekja e situatës në brigadën ushtarake të Shkodrës ku kishin sulmuar për të rrëmbyer armët, për të vjedhur armët. Dhe do thuash kur ngele vetëm? Në momentin që unë dhe Ndre Legisi, që ishte Sekretar i Shtetit, po komunikonim pandërprerë telefonikisht për evolucionin e situatës dhe masat që duhet të merrnim, ishte e nevojshme të prisnim sepse Forca e Ndërhyrjes së Shpejtë ishin në Shkodër dhe u duheshin 2 orë që të vinin nga Shkodra në Tiranë dhe midis tyre ishin specialistë që e njihnin planimetrinë e burgut, kishin hyrë nga sipër, dinin ta kontrollonin situatën në revoltë etj. Nga ora 9 e asaj mbrëmje, në një nga telefonatat me Ndrekën, më thotë Neritani iku, ministri. Si iku, i them unë? Më dorëzoi telefonin dhe më tha ika unë se ra shteti. Dhe iku vërtetë! Iku në shtëpi. Dhe unë vazhdova me Ndrekën deri sa me ndihmën e radio Kohës e Arian Çanit, bëmë një fushatë diversioni pozitiv në mesin e të rebeluarëve, dhe i ndamë shapin nga sheqeri. Arritëm ta kontrollonim deri sa u kthyen forcat speciale nga Shkodra. Dhe sa kisha rënë të fle në 5 të mëngjesit, më merr ministri Neritani dhe më thotë e zgjidhëm ne situatën. Në raste të tilla ngelesh vetëm. Sepse niveli i përgjegjësisë që i takon Kryeministrit, nuk e merr askush tjetër.