Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin deklaroi këtë të shtunë se ende ekziston rreziku i vrasjes së presidentit Aleksandër Vuçiç.
Sipas tij, për sa kohë shtetasi malazez Radoje Zvicer është ende i lirë, vrasja e Vuçiçit është e mundur, shkruan Danas.
“Përderisa (Radoje) Zvicer është i lirë, vrasja e Vuçiçit është e mundur, ne nuk e dimë se kush qëndron pas klaneve dhe derisa kjo të zbulohet, kërcënimi për jetën e presidentit rritet çdo ditë”, ka thënë Vulin.
Ai shtoi se në rastin e klanit Veljko Belivuk është vërtetuar aktakuza për shtatë vrasje.
“Një nga të pandehurit ka pranuar se ka vrarë pesë persona dhe do të ketë më shumë viktima, jam i sigurt për këtë”. Sa i përket policisë, ne e bëmë punën tonë”, theksoi ai.
Radoje Zvicer, një nga të dyshuarit nga autoritetet serbe për planifikim të një atentati ndaj Vuçiç, konsiderohet një nga krerët e klanit Kavaç dhe akuzohet për organizimin dhe urdhërimin e disa vrasjeve në territorin e Malit të Zi dhe vendeve të tjera.