Ministria e Arsimit ka reaguar për ngjarjen e Dibrës, ku rreth 60 nxënës të gjimnazit në Shupenzë u asfiksuan nga tymi i kaldajës.
Ministria sqaron se ngjarja ndodhi në orën e dytë të mësimit, kur nisi të dilte tym nga kaldaja, e cila funksionon me dru të papërpunuar.
Së bashku me një nxënës, në Tiranë është transportuar edhe një mësuese.
Ndërkohë, Ministria ka urdhëruar që në të gjithë vendin të nisë një inspektim nëpër shkolla për verifikimin e kaldajave.
Njoftimi i Ministrisë së Arsimit:
Ministria e Arsimit, Rinise dhe Sportit bën me dije për publikun të dhënat e përditësuara mbi situaten e krijuar këtë të premte në shkollën “Rifat Manjani” në Shupenzë të Dibrës, ku në orën e dytë të mësimit ka dalë tym nga kaldaja, e cila funksionon me pelet (lloj druri i përpunuar). Për pasojë, nxënësit kanë patur vështirësi në frymëmarrje duke çuar në ndërprerjen e menjëhershme të mësimit dhe në transportimin e nxënësve drejt qëndrës shëndetsore në Shupenzë dhe në spitalet rajonale të Bulqizës dhe Peshkopisë. Aktualisht në strukturat spitalore janë shtruar afro 60 nxënës nga të cilët njëri prej tyre është transportuar ne Tiranë së bashku me një mësuese. Të dhënat nuk janë definitive pasi po përditësohen duke qenë se situata mbetet ende në zhvillim.
Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe Ministrja e Shëndetsië Ogerta Manastirliu kane qenë në komunikim të vazhdueshëm me mjekët si dhe autoritetet lokale. Ministrja Nikolla ka kërkuar nga të gjithë drejtuesit rajonalë të arsimit ngritjen e një inspektimi në bashkëpunim me pushtetin vendor për verifikimin e kaldajave, gjatë kësaj fundjave në të gjitha shkollat. Po ashtu, edhe në shkollën “Rifat Manjani” bëhet me dije se mësimi nuk do të fillojë pa bërë ritestimin e kaldajës.