Për të nderuar figurën e poetit, falë një fondi të posaçëm, Ministria e Kulturës dakordësoi me pasardhëset e Lasgush Poradecit, blerjen e bibliotekës personale të tij, për ta bërë pjesë të Bibliotekës Kombëtare.
Gjatë një ceremonie në ambientet e Ministrisë së Kulturës, Elva Margariti ka treguar se janë 650 tituj librash në gjuhë të huaj, por edhe shqip, që janë përdorur nga poeti dhe mbajnë shënimet e tij apo autografët e dhuruesve.
“Një bibliotekë e paçmueshme, që tashmë do i shërbejë studiuesve dhe studentëve. Sot kryem aktin simbolik të kalimit nga Ministria e Kulturës në Bibliotekën Kombëtare të këtyre librave”, tha Margariti duke falenderuar edhe dy vajzat e Poradecit për bashkëpunimin.
Marie Poradeci, e bija tha se ndarja sigurisht është e dhimbshme.
“Por unë dhe motra jemi të lumtura që biblioteka po shkon në vendin e saj. Kjo është një vlerë që i shërben gjithë kombit. Babi thoshte që poezia nuk është mendim i vënë në vargje, por ndjenjë e vënë në vargje”, tha ajo.