Në të gjithë territorin e vendit janë identifikuar 19 vatra zjarri. Sipas Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, deri më tani janë shuar 8 vatra, ndërsa 11 mbeten aktive.
Forcat operacionale po vazhdojnë punën për izolimin përfundimtar të vatrave në zonën e Parkut Kombëtar Shebenik në bashkinë e Librazhdit, si dhe për vënien nën kontroll të zjarrit në fshatin Poroçan të bashkisë Gramsh.
Në fshatin Kus, Mali Lugë në bashkinë e Tiranës, zjarri është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për përhapje. Ndërkohë, forcat zjarrfikëse dhe Shërbimi Pyjor monitorojnë vatrën në fshatin Bolenë në Himarë, ku është aktivizuar një zjarr në sipërfaqe me barishte dhe kullotë në Malin e Çipinit.
Në fshatin Shkallë, të bashkisë Konispol, një vatër zjarri në kullotë është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për përhapje. Në fshatin Karroq në Finiq, një vatër zjarri në terren të vështirë po monitorohet nga MZSH dhe aktualisht nuk paraqet rrezik për përhapje.
Në fshatin Tërnovë të bashkisë Bulqizë, në “Pyllin e Lopës”, janë riaktivizuar disa vatra zjarri nga dita e djeshme. Forcat zjarrfikëse dhe të emergjencave vendore po punojnë për të vënë situatën nën kontroll.
Në fshatin Karmë në Vaun e Dejës, është aktivizuar një vatër zjarri në sipërfaqe pyjore me bimësi të dendur ku për shkak të terrenit të vështirë nuk mundësohet ndërhyrja me mjete zjarrfikëse. Për vënien nën kontroll të flakëve që po favorizohen nga era e fortë, po punohet nga toka dhe ajri.
Në operacionet e shuarjes së zjarreve janë angazhuar 146 forca operacionale dhe 5 mjete zjarrfikëse, mbështetur nga 130 efektivë të Forcave të Armatosura dhe helikopteri Cougar.