Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, bëri bilancin e shkollave të dëmtuara gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të qeverisë këtë të diel. Shahini tha se dëmtime, përveç Qarkut të Durrësit, kanë pësuar edhe në Tiranë, Elbasan dhe Lezhë. Në këto qarqe disa shkolla kanë pësuar dëme të rënda dhe nuk mund të rihapen.
“Përveç numrit të shkollave të dëmtuara që raportoi ministrja paraprakisht ne kemi bërë edhe koordinimin e mbledhjes së të gjitha të dhënave për dëmtime në shkolla edhe nga inxhinierë të tjerë si edhe nga inxhinierë të bashkisë. Në Qarkun Durrës janë 16 objekte shkollore dhe kopshte të cilat janë ose të dëmtuara rëndë, ose të dëmtuara më lehtë, por që kanë nevojë për riparime dhe nuk mund të hapen. Në Qarkun Tiranë janë 23 shkolla të dëmtuara më rëndë apo pak më lehtë, por që nuk mund të rihapen menjëherë. Në Lezhë 10 shkolla, 3 të dëmtuara më rëndë dhe 7 të dëmtuara më lehtë, por që nuk mund të rihapen menjëherë. Në Qarkun Elbasan kemi edhe 3 shkolla të tjera që nuk mund të rihapen menjëherë.
Dëmtimet në Tiranë, Lezhë dhe Elbasan nuk janë të niveleve në Durrës. Sidoqoftë ka nevojë për pak kohë për t’u riparuar. Ka shkolla të tjera me dëmtime të lehta dhe nuk paraqesin asnjë rrezik për nxënësit. Në 26 nëntor drejtorët e shkollave apo dhe të drejtorive Arsimore kanë identifikuar numrin e shkollave që kanë paraqitur ndonjë shqetësim. Më 27 nëntor Instituti i Ndërtimit kanë bërë inspektimet në zonën e Durrësit. Më datë 28-29 janë bashkëngjitur inxhinierë nga Kosova dhe kanë inspektuar shkolla, në Tiranë, Durrës Lezhë. Më 30 Nëntor kemi bërë analizën e detajuar mbi situatën në fjalë.
Janë inspektuar të gjithë shkollat publike, dhe ato private sot. Kemi bërë një plan zhvendosje që nxënësit të vijojnë mësimin në shkollat që nuk mund të hapen menjëherë. Kemi bërë plan me transportin. Kemi organizuar me kujdes të gjithë kujdesin psiko-social. Me Fakultetin e Shkencave Sociale po bëhen edhe grupe ë të mëdha të studentëve Master që do na vijnë në ndihmë. Nuk mendoj që në Durrës përkundër masave që kemi marrë është koha që të fillojmë qysh të hënën. Mendoj që qarqet kanë nevojë për pak kohë që të bëhen riparimet që të hapen shkollat dhe të rifillojë mësimi”, tha ministrja.
Ajo u shpreh se ka dy opsione për nisjen e procesit të shkollës. Ose të rifillojë mësimi në zonat e paprekura dhe të shtyhet në zonat e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ose të mos fillojë mësimi në Durrës dhe në Tiranë dhe Lezhë, ku janë edhe shkollat më të dëmtuara të mos fillojë mësimi vetëm në objektet e dëmtuara rëndë.
“Kemi dy opsione për nisjen e procesit të shkollës. Të rifillojë mësimi në të gjitha qarqet e paafektuara. Të rifillojë në zonat e paprekura dhe të shtyhet mësimi në zonat e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Një opsion i dytë më pak i preferuar nga ana jonë është që të mos fillojë mësimi në Durrës dhe në qarqet Tiranë dhe Lezhë të mos fillojë mësimi vetëm në shkollat e verifikuara me probleme. Unë mendoj që kjo do paraqiste më pas një çakordim të punës në këto qarqe. Për këtë duhet të marrim një vendim si vendim”, tha Shahini.