“Drejtuesit e institucioneve publike shëndetësore e kanë të ndaluar të kenë dhe të drejtojnë klinika private, kur njëkohësisht janë në drejtim të strukturave spitalore publike”.
Kështu u shpreh ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, pas mbledhjes së qeverisë.
“Sot miratuam një ndryshim në ligjin për Urdhrin e Mjekëve. Qëllimi kryesor i ndryshimeve ka të bëjë me garantimin e cilësisë së shërbimit për të gjithë pacientët që i drejtohen strukturave publike”, tha Koçiu.
“Duam të shmangim sa më shumë të jetë e mundur konfliktin e interesit të personave që punojnë në sistemin publik. Ndryshimet konsistojnë në bërjen transparente të informacionit për të gjithë profesionistët që punojnë në strukturat publike sa i përket angazhimeve të tyre private”, theksoi ministrja e Shëndetësisë.