Bota Miqtë dhe “armiqtë” ngushëllime për Raisin, Erdogan e quan vëlla, për Putin...

Miqtë dhe “armiqtë” ngushëllime për Raisin, Erdogan e quan vëlla, për Putin “ishte mik i vërtetë i Rusisë”

Vdekja në një aksident ajror e presidentit iranian, Ebrahim Raisi, ka sjellë reagime të ndryshme në radhët e komunitetit ndërkombëtar. Liderë të vendeve mike dhe “armike” me Teheranin kanë reaguar duke shprehur ngushëllimet për politikanin e vijës së ashpër, i cili konsiderohej një pasardhës i mundshëm i liderit suprem të vendit, Ayatollah Ali Khamenei.

Helikopteri që transportonte presidentin dhe ministrin e Jashtëm iranian, Amir Abdullahian, së bashku me shtatë pasagjerë dhe pjesëtarë të ekuipazhit u zhduk nga radarët dje, teksa fluturonte mbi një zonë malore të pyllëzuar në veriperëndim të Iranit, mes kushteve të pafavorshme të motit, me shi dhe mjegull të dendur.

Ngushëllimet e para për Raisin kanë ardhur nga dy miq të tij, si lideri turk, Rexhep Taip Erdogan, dhe kreu i Kremlinit, Vladimir Putin.

Erdogan: Zoti e mëshiroftë vëllain tim

Erdogan e quan Presidentin e ndjerë vëllain e tij në një reagim në platformën X.

“Po lutem për kolegun tim të dashur, vëllanë tim dhe Presidentin e Republikës Islamike të Iranit, z. Ibrahim Raishi, për të cilin fatkeqësisht mësuam se vdiq në një aksident me helikopter. Uroj mëshirën e Zotit edhe për ministrin e Jashtëm iranian dhe për njerëzit e tjerë që humbën jetën në të njëjtin helikopter si Udhëheqësi i ndjerë. I shpreh ngushëllimet më të thella popullit dhe qeverisë mike dhe vëllazërore iraniane, veçanërisht liderit suprem të Republikës Islamike të Iranit, z. Ali Khamenei, dhe familjes së Presidentit të saj të nderuar. Si koleg i cili personalisht ka qenë dëshmitar i përpjekjeve të tij për paqen e popullit iranian dhe rajonit tonë gjatë mandatit të tij, do ta kujtoj zotin President me respekt dhe mirënjohje. Si Turqi, ne do të qëndrojmë pranë fqinjit tonë, Iranit në këto kohë të vështira dhe të trishtuara, siç kemi bërë shumë herë”, shprehet Erdogan.

Putin: Raisi një mik i vërtetë i Rusisë

Presidenti rus, Vladimir Putin, ia ka dërguar ngushëllimet e tij liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, duke e konsideruar Ebrahim Raisin, një mik të vërtetë të Rusisë.

“Ju lutemi pranoni ngushëllimet e mia më të thella në lidhje me tragjedinë e madhe që ka ndodhur në Republikën Islamike të Iranit. Sayed Ebrahim Raisi ishte një politikan i shkëlqyer, gjithë jetën iu kushtua shërbimit të Atdheut. Si një mik i vërtetë i Rusisë, ai dha një kontribut të paçmuar personal në zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë midis vendeve tona dhe bëri përpjekje të mëdha për t’i sjellë ato në nivelin e partneritetit strategjik”, shkruhet në letrën e Putin.

Xi Jinping: Humbje e madhe për popullin iranian

Presidenti kinez Xi Jinping e përshkroi vdekjen e presidentit iranian Ebrahim Raisi si tragjike dhe “një humbje të madhe për popullin iranian”, sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme kineze.

“Presidenti Xi Jinping thekson se vdekja e tij tragjike është një humbje e madhe për popullin iranian dhe se populli kinez ka humbur një mik të mirë”, tha në një konferencë shtypi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin.

BE dhe India

Edhe Bashkimi Europian ka reaguar duke shprehur ngushëllimet, përmes një postimi të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel në platformën X.

“BE shpreh ngushëllimet e saj të sinqerta për vdekjen e presidentit iranian Raisi dhe ministrit të Jashtëm Amirabdollahian, si dhe anëtarëve të tjerë të delegacionit dhe ekuipazhit në një përplasje helikopteri. Mendimet tona janë me familjet”, shkruan Michel.

Kryeministri indian, Narendra Modi, po ashtu është shprehur se është “thellësisht i pikëlluar dhe i tronditur nga humbja tragjike” e Ibrahim Raisit.

“Ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen e tij dhe popullin iranian”, shkroi Modi në X, duke shtuar se India qëndron “me Iranin në këtë kohë pikëllimi”.

Reagimet nga Hamasi, Houthit dhe bota arabe

Nga ana e saj, lëvizja palestineze Hamas shprehu “ngushëllimet dhe solidaritetin më të thellë” për liderin suprem të Iranit, Ali Khamenei, qeverinë iraniane dhe popullin iranian për “këtë humbje të madhe”.

Hamasi vlerësoi mbështetjen e presidentit të ndjerë iranian për kauzën palestineze dhe rezistencën kundër Izraelit, ndërsa shprehu besimin se “institucionet iraniane me themelet e tyre të forta do të arrijnë të kapërcejnë efektet e kësaj humbjeje”.

“Këta liderë mbështetën luftën legjitime të popullit tonë kundër entitetit sionist, i dhanë mbështetje të vlefshme rezistencës palestineze dhe bënë përpjekje të palodhura solidariteti dhe mbështetjeje në të gjitha forumet dhe sektorët për popullin tonë në Rripin e Gazës të palëkundur gjatë Betejës së Al-Aqsa” (një referencë për luftën e me Izraelin që filloi më 7 tetor). Ata gjithashtu bënë përpjekje të rëndësishme politike dhe diplomatike për të ndaluar agresionin sionist kundër popullit tonë palestinez”, thuhet në deklaratën e Hamas.

Libani ndërkohë ka shpallur tre ditë zie kombëtare për vdekjen e presidentit iranian. Organizata islamike shiite e Libanit Hezbollah gjithashtu shprehu ngushëllimet e saj në një deklaratë.

Në Siri, presidenti Bashar al-Assad shprehu ngushëllimet e tij për Iranin, duke deklaruar “solidaritetin” e tij me Teheranin, i cili e ka mbështetur atë që nga fillimi i luftës civile në vendin e tij.

“Siria qëndron në solidaritet me Republikën Islamike të Iranit. Ne kemi punuar me presidentin e ndjerë për të siguruar që marrëdhëniet strategjike midis Sirisë dhe Iranit të mbeten gjithmonë të begata”, shtoi ai.

Edhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari shprehën ngushëllimet. Abu Dhabi, që ka rinovuar lidhjet me Teheranin pas vitesh tensioni, shprehu “solidaritet me Iranin në këto kohë të vështira“, siç theksoi presidenti i Emirateve, Mohammed bin Zayed.

“I shpreh ngushëllimet më të sinqerta qeverisë dhe popullit të Iranit pas vdekjes së Presidentit Ibrahim Raisi, Ministrit të Jashtëm Hossein Amirabdollahian dhe njerëzve që i shoqëronin pas një aksidenti tragjik”, u shpreh ai.

Edhe emiri i Katarit Tamim bin Hamad al-Thani e cilësoi lajmin “të trishtuar”. “Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për qeverinë dhe popullin e Republikës Islamike të Iranit”.

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite kanë pasur prej kohësh marrëdhënie të tensionuara me Iranin dhe mbështesin kampe të ndryshme në konfliktet rajonale.

Marrëdhëniet midis Riadit dhe Teheranit u normalizuan në mars 2023 pas një përçarjeje 7-vjeçare, me Iranin që shtoi përpjekjet për afrimitet me Arabinë Saudite dhe me vendet e tjera të Gjirit që atëherë.