Kjo duket se është deviza e strategjisë së re të SHBA në një botë ku rivaliteti i fuqive të mëdha është rritur. Në një fjalë të mbajtur gjatë një aktiviteti të organizuar nga Këshilli Atlantik, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper ka vënë në dukje rolin e aleatëve në këtë përballje dhe zgjerimin e atij që ai e quajti një rrjet global.
Sipas tij, megjithë forcën e tyre dhe kapacitetet e shtuara modernizuese ushtarake, rivalët kryesorë të SHBA, Rusia dhe Kina, sipas Esper nuk kanë më shumë se 10 aleatë realë. Për këtë arsye këto janë shtete që kanë autoritet për shkak të fuqisë, por jo influencë, pasi atyre u mungon partneriteti. Në këtë kuadër ai ka njoftuar nismën e re të quajtur Udhëzim për Zhvillimin e Aleancave dhe Partneritetit (Guidance for Development of Alliances and Partnerships) që konsiston në një qasje gjithëpërfshirëse dhe strategjike në ndërtimin e partneritetit.
“Ndërsa në të shkuarën angahzimi ynë ndërkombëtar udhëhiqej nga prioritetet dhe interesat rajonale, sot SHBA përballet në një erë të rivalitetit të fuqive të mëdha që është globale në natyrën e vet…”, ka deklaruar Esper.
Ai ka shtuar se nisma në fjalë do të japë një zgjidhje për unifikimin e zërave politikë të SHBA në raport me partnerët që shpesh nuk i kanë kuptuar mesazhet e Uashingtonit. Esper ka përsëritur se SHBA pret nga aleatët e vet që të shtojë buxhetin e mbrojtjes mbi 2%, por edhe siç theksoi ai: “Të jenë gati, të aftë dhe me vullnetin për t’u dislokuar kur të ketë probleme. Dhe ne kërkojmë prej tyre që të jenë krah për krah me SHBA në përballjen e sjelljes së keqe kineze dhe agresionit rus”.
Në këmbim të kësaj, sekretari amerikan i Mbrojtjes ka premtuar se SHBA do të ofrojë mjete dhe armatime për të përballur kërcënimet ruse dhe kineze, por edhe përfshirje më të madhe në arsimimin ushtarak në SHBA të studentëve të huaj.
Katër do të jenë përparësitë e Pentagonit në atë që ai e quajti “reforma e eksporteve”: “aftësi të shpejta eksportuese për sisteme armatimi kritike; zyrtarizimi i një kuadri elastik për përdorimin e teknologjisë; prioritizimi i vendeve apo kapaciteteve për kapjen dhe mbajtjen e tregjeve kyçe dhe përmirësimi i parashikueshmërisë së kërkesës ndërkombëtare në informimin e investimeve komerciale dhe rritja e kapacitetit industrial”.
Po kështu Pentagoni do të ndërmarrë një nismë për krijimin e një paneli për shitje jashtë në funksion të plotësimit të nevojave ushtarake të partnerëve. Në këtë kuadër, Esper ka shpjeguar se SHBA do të konsiderojë angazhimin e vet strategjik me çdo vend pavarësisht përmasave të tij. Ai ka përmendur p.sh se SHBA po rimendon dislokimin e forcave në funksion të frenimit të Rusisë në Bullgari, Rumani, Poloni apo Balltik.