Është një nga serialet më të egra të hakmarrjes, larjes së hesapeve, prishjes së pazareve dhe luftës së ashpër për rivalitet dhe kontroll territori të narko-trafikut mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe jo vetëm.
Fitili që e ndezi konfliktin mes anëtarëve të të njëjtit grup, dikur miq mes tyre, (të paktën deri më 2022 kur pozonin dhe darkonin së bashku), ishte një ngarkesë prej 700 kilogramë hashash e humbur në aksin Shqipëri-Greqi rreth shtatë vite më parë, e konkretisht që duhej të trafikohej nga Saranda për në Athinë me mjete lundruese.
Organizata dyshohet se kishte caktuar mbikëqyrës Edmond Papën (Hoxha), me precedentë në Britani, ndërsa si dorëzues Aleksandër Sadikajn, i njohur si “Sanço”, po me precedent të mëparshëm në Shqipëri.
Organizata ka besuar versionin e Sadikajt se ngarkesa i kishte humbur. Megjithëse dëmi ekonomik ishte i madh, debati u mbyll, por vetëm përkohësisht.
Dhe krismat e para dyshohet se kanë ndodhur në vitin 2019 në Athinë të Greqisë, ku u raportua për vrasjen e dy të rinjve shqiptarë, që besohej se ishin korrierët e ngarkesës.
Por zyrtarisht kjo nuk u konfirmua dhe mbetën informacione operative që u lidhën me dosjen voluminoze më pas.
Dhe do vinte viti 2022 kur konfliktet shpërthyen përgjakshëm. Dukej se shkak ishte debati për një tjetër ngarkesë me 100 kg hashash që i kishte humbur Papës.
Disa ditë para se të vritej, Aleksandër Sadikaj kishte darkuar dhe fjetur në hotelin “Blue Sky” të Papës në Sarandë, pasi ishin miq të ngushtë prej vitesh. Sadikaj ishte djali i hallës së Andrea (Adriatik) Kalemit, një tjetër emri të narko-trafikut ndërkombëtar, nga Memaliaj, gjithashtu mik i Papës.
Dhe më 11 qershor, disa ditë pas kthimit nga Saranda, Sadikaj vritet në atentat me bombë në makinë.
Pas sagës hakmarrëse dyshohet se qëndron bosi i kartelit, po shqiptar, nga një burg grek, i cili kërkoi larje hesapesh për humbjen e ngarkesave, pasi dyshimet ndaj Sadikajt për “punë pas shpine” u rritën.
Dhe deri më tani janë 5 të vrarë për hakmarrje mes grupeve të ndara në dy vitet e fundit, 2 të tjerë të pafajshëm (kamerier dhe klient lokali), si dhe 2 të pakonfirmuar zyrtarisht pesë vite më parë, që cilësohen si viktimat e para të zinxhirit hakmarrës.
11 qershor 2022, vritet në atentat me bombë Aleksandër Sadikaj
Aleksandër Sadikaj, i njohur edhe me nofkën “Sanço”, vritet në një shpërthim me bombë të telekomanduar. 27-vjeçari me origjinë nga Memaliaj dhe rritur në Berat, ishte nip i fisit Kalemi.
Ngjarja ndodhi teksa ai udhëtonte drejt vendlindjes, pranë rrethrrotullimit të TEG-ut në Tiranë. Autorët dyshohet se kishin vënë një sasi të konsiderueshme prej 150 gramësh tritol të komanduar me telekomandë, në pjesën e përparme të mjetit, e cila është aktivizuar gjatë lëvizjes dhe i shkaktoi vdekjen. Dinamika e vendosjes së bombës nuk u zbulua, kurse motiv dyshohet se janë konfliktet dhe prishja e pazareve të drogës në aksin Greqi-Shqipëri shtatë vite më parë.
Dyshohet se shkak ka qenë humbja e një sasie prej 700 kg drogë (hashash) nga Sadikaj, por që organizata dyshonte se ai e kishte shitur vetë dhe përvetësoi fitimet.
Sadikaj sapo kishte ndërtuar një resort luksoz agro-fermë në Memaliaj me kushërinjtë e tij Kalemi dhe kjo rriti dyshimet e organizatës.
16 dhjetor 2022, ekzekutohet në Tiranë biznesmeni Edmond Papa
Gjashtë muaj më pas vritet në Tiranë biznesmeni sarandiot, Edmond Papa (më parë ka mbajtur edhe mbiemrin Hoxha). Viktima biznesmen, njihej si lidhje shoqërore e vjetër e Sadikajt, para se të nisnin konfliktet në Greqi dhe më pas kaluan në armiqësi me zinxhir hakmarrjeje mes grupeve. Origjina e sagës besohet se vjen nga një burg në Greqi, nga jepeshin urdhrat për eliminime ndaj grupit të Sadikajt, për shkak të drogës së humbur.
Vrasja e Papës u deklarua nga Policia si hakmarrje për vrasjen e Sadikajt. Hetimet zbuluan të paktën 3 të rinj të implikuar në ekzekutimin e Papës, teksa pinte kafe në lokalin poshtë shtëpisë së vëllait në Selitë. Autorët e dyshuar kishin lidhje shoqërore dhe familjare me Sadikajn.
Për ekzekutimin e Papës u arrestua në fillim shoku i Andrea (Adriatik) Kalemit (ky kushëri i Sadikajt), Albano Velo, ndërsa në kërkim u shpall Andreë Bode, i arrestuar sot (28 Gusht 2024). Një prej të rinjve ishte djali i një efektivi policie në kryeqytet. Ata ndoqën nga Saranda në Tiranë shënjestrën, i cili solli nënën e sëmurë për trajtim në spital.
Papa jetonte kryesisht mes Sarandës dhe Greqisë prej vitesh dhe ishte pronar i një biznesi në qytetin bregdetar.
18 dhjetor 2022, vriten dy shqiptarë në Athinë
Ndërkohë dy ditë pas vrasjes së Edmond Papës në Tiranë, më 18 dhjetor 2022, dy shqiptarë të tjerë, Kreshnik Çerçizaj, 41 vjeç dhe Armando Organja, 44 vjeç, janë ekzekutuar me armë zjarri në një lokal në Athinë. Në fakt Çerçizaj u raportua se humbi jetën si pasojë e atakut kardiak gjatë skenës së atentatit dhe Organja ishte objektivi.
Të dy sipas mediave greke, dyshohet se ishin sulmuar për të njëjtin konflikt mes dy grupeve kriminale, i nisur shtatë vite më parë për humbjen e një ngarkese të madhe droge. Ekzekutimin e dy shqiptarëve në një lokal të lagjes Nea Smyrni, mund të ketë ardhur nga burgjet (më i përfoluri ai i Domokos) dhe ka lidhje me larjen e hesapeve mes shqiptarëve.
Më 9 gusht 2023, Andrea (Adriatik) Kalemi i shpëton atentatit
Andrea (Adriatik) Kalemi i shpëton atentatit në ishullin Pax të Greqisë, teksa kishte shkuar me pushime me 3 fëmijët dhe gruan e tij. Kalemi është kushëriri i parë i Aleksandër Sadikajt, i vrarë në atentat me bombë më 2022. Motiv u dyshua saga e hakmarrjeve mes grupeve, pasi Kalemi hetohet si një nga ekzekutorët e Papës më 16 dhjetor 2022. Papa dyshohej nga grupi si autor porositës dhe organizator i hedhjes në erë të Sadikajt.
Njëkohësisht Kalemi ishte nën hetim dhe kërkim për ngjarjen e dy viteve më parë në Selitë. Andrea Kalemi, 51 vjeç, ka qenë i akuzuar dhe hetuar për vrasjen e dy vëllezërve në Belgjikë në vitin 2001, teksa figuron edhe pronar i dhjetëra bizneseve të ndryshme në Shqipëri dhe më gjerë.
Më 14 dhjetor 2023, Andrea Kalemi plagoset në atentat
Atë që nuk arritën në goditjen e parë, organizata e narkotrafikut me bazë në Greqi e tentoi në të dytën. Por Andrea Kalemi shpëtoi përsëri, teksa mbeti i plagosur me thikë në burgun “Koridhalos”, në Greqi, pak pasi ishte arrestuar. Autori sipas mediave greke kishte qenë një 28-vjeçar egjiptian, por dyshimet janë për një porosi me motiv sagën hakmarrëse mes grupeve.
Më 12 janar 2024, plagoset vëllai i Andrea Kalemit
Ndërkohë është tentuar të vritet vëllai i Andrea Kalemit, i njohur dhe si Adriatik Kalemi. Nga një makinë në lëvizje u qëllua me kallashnikov drejt mjetit “Smart” me të cilin po udhëtonte Zamir Kalemi. I riu mbeti i plagosur në këmbë. Edhe pse nuk pati motiv zyrtar, dyshohet se shkak ka qenë hakmarrja për konfliktet mes klaneve kriminale të drogës, e nisur që në Greqi shtatë vite më parë.
Më 20 korrik 2024, vritet babai i Andrea Kalemit
Ndërsa nuk arritën të vrisnin djemtë, grupi rival vrau në një masakër Shyqo Kalemin, 74 vjeç, babai i Andrea dhe Zamir Kalemit, njëkohësisht lidhje familjare me Aleksandër Sadikajn. Nga plumbat e kallashnikovit në një lokal në Memaliaj mbeti i vrarë dhe Gledio Muka dhe M. Çela, kamerier dhe klient, teksa ngjarja ndodhi në lokalin e lagjes nr. 3, në Memaliaj.
Motiv përsëri u dyshua saga hakmarrëse mes grupeve rivale. Andrea Kalemi është i dyshuar për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në Tiranë, në Dhjetor të vitit 2022 dhe aktualisht ndodhet në burg në Greqi. Urdhri i atentatit besohet se është dhënë nga Dubai dhe autorët kanë qenë vrasës profesionistë me pagesë.