Menjëherë pasi Administrata e Ushqimit dhe Barnave i dha miratimin e plotë vaksinës së Pfizer dhe Biontech, presidenti amerikan Joe Biden, i kërkoi sektorit privat dhe qeverive lokale të bëjnë të detyrueshëm vaksinimin për punonjësit e tyre.
Joe Biden: “Nëse jeni drejtues biznesi, lider jofitimprurës, udhëheqës shtetëror ose lokal, që keni pritur miratimin e plotë të FDA-së për të kërkuar vaksinimin, unë ju bëj thirrje që ta bëni këtë tani”.
Pentagoni duket se do të jetë i pari që do të bëjë realitet kërkesën e Biden. Pas aprovimit të plotë nga FDA, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes njoftoi se do të përfshinte vaksinën në listën e injeksioneve të detyrueshme për personelin ushtarak amerikan.
John Kirby, zëdhënësi Pentagonit: “Tani që vaksina e Pfizer është aprovuar, departamenti po përgatitet t’u kërkojë të gjithë pjesëtarëve në detyrë, të vaksinohen kundër koronavirusit”.
Edhe qyteti i Nju Jorkut tha se do të kërkojë nga mësuesit dhe stafi i shkollave publike të vaksinohen kundër koronavirusit. Pfizer/BioNTech është miratuar për përdorim emergjent që në muajin dhjetor, e mbi 90 milion amerikanë e kanë marrë vaksinën deri më tani. Por miratimi i plotë i saj nga enti rregullator, është një garanci më shumë për sigurinë dhe efikasitetin.
Dr.Stephen Hahn, ish-komisioner i FDA: “Kemi më shumë të dhëna për efektshmërinë dhe sigurinë se sa për çdo vaksinë tjetër në histori. Por çfarë nënkupton kjo për ecurinë e fushatës së imunizimit?”
Dr.Anthony Fauci, Drejtor i Institutit të Sëmundjeve Infektive: “Kjo do të nxisë më tej vaksinimin dhe do të mbështesë institucionet dhe organizatat për ta bërë vaksinimin të detyrueshëm”.
Sa i përket vaksinimit të fëmijëve nën moshën 12-vjeçare, autoritetet shëndetësore në SHBA thonë se duhet pritur derisa të kenë të dhëna të mjaftueshme për sigurinë dhe efektshmërinë e vaksinës. Kompanitë farmaceutike pritet të paraqesin të dhënat në mesin e vjeshtës.