Një hap i rëndësishëm për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë dhe Operatorit të Transmetimit të Kosovës për rritjen e sigurisë së sistemit elektro-energjitik, vënien në punë të linjës së interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë, si edhe zhvillimin e tregut të përbashkët të energjisë elektrike mes të dy vendeve.
Në datë 20 Prill është mbyllur procesi i votimit dhënien të drejtë dhe pavarësi Kosovës për nënshkrimin e marrëveshjes së lidhjes së KOSTT me Operatorët e Transmetimit të Europës Kontinentale. Rezultati i votimit ka qene një sukses i plotë, 22 vota pro, 4 abstenim dhe 3 kundra (Spanja, Bosnje-Hercegovina dhe Sllovakia).
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një hap i rëndësishëm për KOSTT në rrugëtimin e tij për shfrytëzimin e Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës njësoj si të gjitha vendet e tjera të Evropës në zbatim të standardeve Evropiane për Operimin e Sistemit. Kjo marrëveshje pritet të hyjë në fuqi në 14 Maj.
Gjithashtu kjo marrëveshje ofron mundësinë e rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe krijimin e lehtësirave për tregtarët e energjisë elektrike për të kryer transaksione në kufirin Shqipëri- Kosovë, nxit iniciativat rajonale për bashkimin e tregjeve të energjisë, të cilat parashikohet të sjellin dhe një ulje të çmimeve të energjisë për konsumatorët, duke nxitur njëkohësisht edhe iniciativat e përdorimit të energjisë balancuese, në kuadër të Kodit Evropian të balancimit.
Aprovimi i marrëveshjes, i hap rrugës hyrjes në fuqi të marrëveshjes mes OST dhe KOSTT sa i takon uljes së humbjeve teknike në sistemet e transmetimit respektive.
Marrëveshja në fjalë do të bëjë të mundur edhe shtimin e kapaciteteve transmetuese të OST, ku nëpërmjet investimit të ri të planifikuar të linjës 400kV Shqipëri-Maqedoni e Veriut, OST do të jetë e ndërlidhur me të gjithë Operatoret e Transmetimit të vendeve fqinje nëpërmjet rrjetit 400kV, i cili ofron një besueshmëri të lartë në operimin e sistemit elektroenergjetik.