Kuvendi miratoi me 97 vota pro marrëveshjen e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore. Kjo marrëveshje u përfshi në rend dite nga konferenca e kryetarëve pas dakordësisë që kryeministri Rama arriti me opozitën parlamentare.
Marrëveshja ka marrë më shume vota nga sa nevojiten për ndryshimet kushtetuese. Para votimit Edi Rama tha se nuk i votonte me zemër, por me mendje këto ndryshime. Ai e quajti vendimin si provën që rrëzon akuzat për diktature ndaj atij vetë dhe mazhorancës socialiste, pasi siç u shpreh Kryeministri, socialistët nuk kishin asnjë detyrim institucional që ta pranonin këtë marrëveshje.
Pasi mori votat për “5 qershorin”, Partia Socialiste sjell në seancë në 30 korrik dhe draftin për ndryshimet kushtetuese si premtim për pakicën parlamentare. Socialistët konfirmuan pjesëmarrjen e tyre në mbledhjen e Këshillit Politik të kërkuar nga opozita jashtëparlamentare për pasditen e sotme.