Qeveria miratoi sot vendimin për “Paketën e maleve”, një projektligj që ofron lehtësi fiskale, për të ndihmuar ekonominë malore të zhvillohet.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja në përfundim të mbledhjes së qeverisë njoftoi edhe miratimin e Paketës së Maleve.
Ministri tha se miratimi i kësaj pakete nxit kthimin e shumë shqiptarëve nga jashtë vendit.
“Miratuam sot në qeveri projektligjin që ne e quajmë “Paketa e Malit”, që mua do të më pëlqente ta quaja një nismë për ekonominë e maleve, që është një nismë që sjell një qasje alternative për të ndihmuar që ekonomia malore që ka ngelur pas ekonomisë të zonave urbane dhe zonave bregdetare të mund ta nxisim e ta shohim me përparësi duke shkuar më thellë në zonat rurale që kanë një potencial zhvillimi.
Gjithashtu do të lehtësonim dhe të nxisnim që të kishim edhe diasporën dhe kthimin e shumë shqiptarëve, për t’u kthyer në tokat e të parëve edhe nga jashtë vendit ku ata mund të jenë sot, për të zhvilluar projekte që më pas ne do të bënim të mundur që t’i ndihmonim që të kishin një ecuri më të shpejtë miratimi dhe zbatimi të këtyre investimeve në zona që ne do t’i shpallim zona me përparësi dhe me një nevojë prioritare për një zhvillim ekonomik të mbështetur nga këto instumente që ne propozojmë me këtë projektligj”, tha Gonxhja.
Ndërsa ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku tha se, “ky projektligj sjell një qasje për të rritur mundësitë dhe lehtësuar procedurat fiskale për të ndihmuar që ekonominë malore, që në vitet e fundit ka mbetur pas, ekonomisë së zonave urbane dhe bregdetare, të mund ta nxisim dhe fuqizojmë duke shkuar më thellë zonave rurale”.
“Malet mbeten burime të mëdha të mjedisit, burim i nënpërdorur. Paketa krijon një sinergji mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor për zhvillimin turistik të gjithë maleve. Kjo paketë krijon mekanizma që bashkitë të propozojnë zona për zhvillim malor dhe përfitojnë me ligj përparësi duke filluar nga lehtësira fiskale, zgjidhin probleme me pronësinë dhe thjeshtojnë lejet për këto zhvillim”, tha Mazniku.
Ai i bëri apel diasporës dhe investitorëve të shohin me përparësi sipërmarrjen në këto zona.
“Qytetarët, investitorët, diaspora të orientojnë qëndrimin drejt maleve. Do t’i japë zhvillim maleve”, tha Mazniku.