Rregullatorët në Gjermani kanë miratuar një plan për ndërtimin e një tuneli nënujor prej 8 miliard dollarësh që do të lidh Danimarkën dhe Gjermaninë.
Zyrtarët në Schleswig-Holstein, shteti më verior i Gjermanisë miratuan planin të premten, i cili bën thirrje për 19 kilometra tunel hekurudhor dhe rrugor, që lidh ishullin danez të Lollandit me ishullin gjerman Fehmarn.
Projekti, që do të ndërtohet nga shoqëria shtetërore e Danimarkës, Femern A/S, përfshin një autostradë me katër korsi dhe një hekurudhë me dy pista. Projekti do të financohet pjesërisht nga Bashkimi Evropian.
Femern A/S ka tani 14 ditë për të shqyrtuar miratimin nga ministria e transportit në shtetin Schleswig-Holstein para se ta nënshkruaj kontratën.
Drejtori i projektit, Claus Dynesen, tha në një deklaratë se kushtet mjedisore, të cilat kanë vonuar procesin që nga fillimi i projektit pesë vjet më parë, janë përmbushur.
Kërkesa për ndërtimin e tunelit u paraqit fillimisht në vitin 2013 dhe ka kaluar nëpër dy faza konsultimesh publike në Gjermani.
Pjesa më e madhe e punëve ndërtimore do të zhvillohet në një fabrikë në qytetin danez Rodbyhavn.
Lidhja hekurudhore dhe rrugore do të sigurojnë një korridor të shpejtë mes Kopenhagenit dhe Hamburgut. Pritet që ndërtimi i tunelit të sjellë zvogëlimin e kohës së udhëtimit me tren mes dy qyteteve nga koha aktuale e pak më shumë se pesë orë, në pak më shumë se dy orë.