Gara për vendet e reja të punës në Shtëpinë e Bardhë ka filluar tashmë
Qoftë nga frika e tersit apo se mos duken mendjemëdhenj, në përgjithësi, kandidatët presidencialë amerikanë e shmangin emërimin publik të kabineteve të tyre përpara zgjedhjeve. Politikanët ambiciozë duhet të mbajnë radhën e gjatë për postet më të mira zyrtare të vendit. Tani që Joe Biden i fitoi ngushtë zgjedhjet presidenciale, debatet për këto poste do të përhapen në publik si gjithmonë.
Kabineti do të ketë rëndësi edhe më të madhe kësaj here. Zoti Biden nuk identifikohet si një udhëheqës i lëvizjeve të reja (përveç faktit që është anti-Trumpist) – ai është një burrë shteti i moshuar që do të lërë më tepër shenjë në Partinë Demokrate duke frymëzuar brezin e ardhshëm të ndjekësve të standardeve, shkruan The Economist.
Ka shumë pretendues të llojeve të ndryshme. Së pari, janë veteranët e vjetër të politikës që kanë qenë pranë zotit Biden, gjatë gjithë karrierës gjysmëshekullore në politikë, duke filluar me zgjedhjen si senator në Delaware, në vitin 1972. Shumë ish-pjesëtarë të Obamaland dhe Clintonland (si Bill ashtu edhe Hillary) kanë gjithashtu shpresa për t’u zgjedhur.
Më pas janë edhe ish-kandidatët kryesorë demokratë – si Kamala Harris, e cila u caktua që më parë si zëvendëspresidente. Koalicioni jashtëzakonisht i gjerë i demokratëve, socialistëve dhe republikanëve të dëbuar që kanë përkrahur Biden gjatë fushatës presidenciale, është plot me politikanë të etur për një post në administratën e re. Por shumë prej tyre do të mbeten me gisht në gojë.
Shanset më të mëdha për t’u zgjedhur i kanë demokratët e establishmentit, siç është edhe vetë zoti Biden. Ronald Klain, i cili ka punuar në dy administratat e mëparshme demokrate dhe ka drejtuar menaxhimin e virusit Ebola nën presidentin Barack Obama, është kandidati kryesor për t’u zgjedhur shef i shtabit. Pa dashur të fyejmë zonjën Harris, kjo është puna e dytë më e rëndësishme në Shtëpinë e Bardhë.
Kandidati i parapëlqyer për të qenë sekretar i Mbrojtjes është Michèle Flournoy, i cili ka qenë nënsekretar i mbrojtjes nën presidentin Obama, dhe aktualisht punon si konsulent biznesi. Konkurrenca është më e fortë për rolin e sekretarit të Shtetit. Nëse Senati i ri e mbështet, Susan Rice, një ish-këshilltare e sigurisë kombëtare e zotit Obama, është zgjedhja më e përfolur e presidentit të zgjedhur.
Poste të tjera të mëdha mund të reflektojnë ato ekzistueset në fushatën e Biden: Jared Bernstein, kryeekonomisti i zotit Biden gjatë periudhës së tij si zëvendës president, mund të marrë përsipër një post kryesor si këshillues ekonomik; dhe Tony Blinken, i cili punoi për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1994, mund të jetë këshilltari i ardhshëm i sigurisë kombëtare.
Në të kundërt, progresistët mund të pengohen. Elizabeth Warren, një senatore e fortë nga Massachusetts me një mendje të shkëlqyer për burokracinë, duket se dëshiron postin e sekretares së Thesarit. Megjithatë, thuhet se zoti Biden nuk ka ndër mend të emërojë senatorë në detyrë në kabinetin e tij, sepse kjo do të kërkonte mbajtjen e zgjedhjeve të posaçme. Demokratët ndoshta duhet të fitojnë dy zgjedhje balotazhi në Xhorxhia në janar, për të siguruar një barazim në Senat (të cilin do ta thyente zonja Harris). Edhe në skenarin më të mirë, nuk do të ketë as edhe një vend të vetëm rezervë.
Ky arsyetim është veçanërisht i vlefshëm në rastin e zonjës Warren, sepse zëvendësuesi i saj i përkohshëm do të emërohej nga guvernatori republikan i Massachusetts. E njëjta logjikë ndoshta do të përjashtonte Bernie Sanders, senatorin socialist nga Vermonti, nga një post si sekretari i punës.
Në fakt, kandidati kryesor për sekretarin e thesarit është Lael Brainard, një ish-ekonomist që ka shërbyer nën udhëheqjen e McKinsey, Clinton, Brookings, Obamës dhe aktualisht është guvernator i Rezervës Federale. Çmimi i lartë progresiv mund të jepet për një post të nivelit më të ulët në kabinet, si sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, ku mund të emërohet Pramila Jayapal, një kampione e “Medicare për të Gjithë” në Dhomën e Përfaqësuesve.
Përveç zonjës Harris, një tjetër ish-kandidat demokrat që mund të shpërblehet me një post të mirë, është Pete Buttigieg, i cili ndërtoi një fushatë të fortë që nga zgjedhja modeste si kryetar bashkie i South Bend, Indiana. Ashtu si zonja Harris, ai vjen nga krahu i moderuar i partisë. Si një politikan i ri 38 vjeç, ai ka një të ardhme të gjatë në jetën publike. Pasi u tërhoq nga gara presidenciale, Buttigieg u bë një përkrahës i fortë i zotit Biden, duke e mbrojtur atë me entuziazëm në territorin jomiqësor të Fox News, një kanal konservator lajmesh.
Mbështetësit e zotit Buttigieg, i cili duket qartë se është mjaft ambicioz, shpresojnë se ai do të shpërblehet me një post të rëndësishëm: ndoshta si ambasador i OKB-së, ose si drejtues i Departamentit të Çështjeve të Veteranëve. Roli i sekretarit të shtypit të Shtëpisë së Bardhë mund të jetë një përshtatje më e natyrshme për talentin e zotit Buttigieg, por kjo punë zakonisht nuk është një gur i rëndësishëm themeli për postet e larta.
Emërimi i pozicioneve fillestare nga zoti Biden nuk është elementi më i rëndësishëm në këtë mes. Shumica e sektorëve banalë të qeverisjes, rrallëherë të përmendura në lajme, janë neglizhuar keq gjatë epokës Trump. Të emëruarit politikë ishin përbuzës ndaj nëpunësve civilë dhe janë ndërruar me shpejtësi, sapo humbnin pëlqimin e zotit Trump. Ndreqja e këtij fenomeni kërkon punë serioze. Zoti Biden dëshiron merita për zgjedhjen e kabinetit më të larmishëm në histori, duke pasqyruar demografinë e partisë së tij. Por ai duhet të zgjedhë njerëz që do të qëndrojnë.