Mirela Bogdani është zgjedhur kryetare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë pas shkarkimit të Alfred Ballës nga kjo detyrë.
Pas rreth 1 ore mbledhje të Këshillit, në prezencë të anëtarëve të KLP-së, si dhe të ftuar përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Programet EU4JUSTICE dhe OPDAT, anëtarët kanë vendosur me 10 vota pro zgjedhjen e Bogdanit në krye të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në këtë mbledhje, Bogdani ka prezantuar platformën e saj për punën në krye të KLP-së.
Pas votimit të anëtarëve të KLP-së, ky vendim ka hyrë në fuqi menjëherë ditën e sotme, 7 Qershor 2024. Mirela Bogdani ishte kandidatja e vetme nga shoqëria civile, ndërsa mandati i saj në krye të KLP-së është 5-vjeçar.
Sjellim në vëmendje se më 27 Maj të 2024-ës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të ndërpresë mandatin e Ballës si anëtar me 9 vota pro. Në nisje të seancës, anëtarët e Këshillit u përfshinë në debate nëse do të duhet të shkarkojnë kryetarin e tyre apo jo.
Balla u përjashtua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit për 15 vite nga çdo funksion në sistemin e drejtësisë pasi për KPA në 2017 është larguar nga detyra e këshilltarit ligjor të Gjykatës së Lartë me dorëheqje.