Një pamje tjetër ka ardhur nga Infektivi i zhurmshëm, përmes mjekut Tritan Kalo. Dy ish-të sëmurë me COVID-19 kanë sjellë ëmbëlsira për Ekipin e Pavjonit të Parë të Shërbimit Infektiv në QSUT, duke rikthyer përkujdesjen ndaj tyre.
Kalo ka ndarë me të gjithë disa momente pushimi me kolegët e tij, duke ngrënë ëmbëlsira, pas intensitetit të shumtë që është në spital.
“Me sytë drejt të ardhmes e në vijim të “rihapjes socio-ekonomike” të vendit…jeta e sotme nuk ka vetëm momente “të Distancimit Social” por ajo ka edhe momente “të Rishoqërizmit”….ndonëse gjendemi për çdo ditë në vijën e “zjarrit” të sfidës me Covid-19, i krijojmë vetes mundësinë për pak minuta shplodhjeje e bisedë mes kolegësh e miqsh “të pa ngarkuar si zakonisht me veshjet mbrojtëse”, të cilat janë të domosdoshme për mbrojtjen tonë nga infektimi me Sars-Cov2/Covid-19, përgjatë vizitave dhe manipulimeve me të sëmurët tanë….”, ka shkruar Kalo bashkangjitur fotove.
Ai ka theksuar se janë disa momente ‘Rishoqërizmi’, që përjetohen gëzueshëm e plot dëshirë me kolegët.
“Është tipar i kulturës qytetare që ata bartin e përfaqësojnë, si dhe i respektit për kontributin e mbarë mjekëve, infermierëve, farmacistëve, imazheristëve, laboranteve, sanitareve, shoferëve, barrelmbajtësve, punonjësve të rendit, etj., për t’u shërbyer në kohë e sa më mirë të prekurve nga kjo sëmundje, shpesh dhe jetëmarrëse….momente të tilla “të Rishoqërizmit”, përjetohen po aq gëzueshëm e me plot dëshirë edhe para një kafeje me Farmacistet, Administratoren e Teknicienët tanë të Imazherisë….për asnjë çast, ne nuk harrojmë se jemi këtu, për t’ju ndihmuar në përballjen tuaj jo të lehtë me këtë “flamë mbarëbotërore”….bashkëqytetarë, vijoni të bëni kujdes për shëndetin tuaj…Ju lutem na dëgjoni dhe zbatoni pa asnjë hezitim këshillat tona…ju duam ndaj edhe ju duhet të mirë vlersoni vështirësitë dhe sakrificat tona….së bashku ne do ja dalim mbanë!!!”, ka shkruar mjeku.